Nesër, Partizani do të luajë në transfertë kundër Kukësit, ndeshje e vlefshme për javën e 29-të të Superiores. Kjo supersfidë është mjaft deçizive për të dy ekipet dhe pritet të përcaktojë fatin e vendit të dytë. Të dy skuadrat janë të përqëndruara maksimalisht, por për t’i motivuar më shumë lojtarët kanë menduar presidentët e dy ekipeve. Fillimisht ishte Safet Gjici që bëri të ditur se do të shpërblente të “tijtë” në rast fitoreje me shumën e 15 mijë eurove.
Ndërsa sot, newsport.al ka mësuar nga burime të besueshme pranë klubit të kuq se presidenti Gaz Demi nuk do të kursehet aspak për skuadrën e tij. Duket e pabesueshme kur bëhet fjalë për një shumë të tillë, por të njëjtat burime tregojnë se kreu i të kuqve ka gati plot 50 mijë euro për lojtarët dhe stafin teknik në rast se do të arrihet një fitore në fushën e vështirë të “Zeqir Ymerit”.
Objektivi i të kuqve tashmë është i qartë: Vendi i dytë dhe pjesëmarrja në Kupat e Europës. Madje dje, trajneri Klevis Dalipi e tha hapur që shpresohet edhe Champions-i në rast të dënimit përfundimtar të Skënderbeut. Brenda skuadrës nuk flitet për premio, por të gjithë janë të përqëndruar për të marrë maksimumin në Kukës. Fundja nuk është habi që presidenti Demi do të japë premio, pasi mësohet se diçka të ngjashme e ka bërë edhe pas fitores me Laçin, por shuma sigurisht ka qenë shumë herë më e vogël.
Kujtojmë që Kukësi ndodhet në vendin e dytë me 51 pikë, ndërsa Partizani në vendin e tretë me 46 pikë. Një fitore e të kuqve do të ngushtonte diferencën në 3 pikë dhe gara për vendin e dytë do të mbetej e hapur. Ndërsa triumfi i verilindorëve praktikisht do të shuante shanset e të kuqve, megjithatë matematika do t’i mbante ende në lojë. /Newsport.al/