[caption id="attachment_667193" align="alignleft" width="300"] Gimi duke takuar presidentin Demi[/caption]
Pasi Partizanit iu prish Kompleksi, historia e klubit të krijuar në vitin 1946 preku fundin. Tifozi më i thekur do e kishte të vështirë të mendonte, që ditë si kjo do të vinin. Fakt është se Partizani gëzon sot një shtëpi dhe stadiumin e tij funksional. Shtysa e Newsport më dha mundësinë që mesditën e së premtes, tre ditë para ndeshjes me Bylisin, ta kaloja aty.
Pikërisht një intervistë u bë indicie, që të njihja fytyra të reja duke punuar brenda klubit. Të intervistosh dikë është e lehtë, ndërsa të gjesh njeriun e duhur e vështirë. Për më tepër, kur bëhet fjalë për Partizanin që ngjall interes. Ndonjë ish-lojtar apo pjesë e stafit mund të ishte alternativë, por prap them do mungonte ndjesia e vërtetë. Atë besoj e ruan vetëm tifozi.
Mendimi i parë më shkoi te Agim Gjonça. Fati im është që e kam mik prej më shumë se 2 vitesh. Gimi, siç më thotë ta thërras shkurt, është nga tifozët e spikatur në rrethin e kuq. Dashamirësit e vjetër të Partizanit e njohin, po ashtu dhe shumë punëtorë brenda klubit. Si gjithmonë ma bëri qefin, duke pranuar ftesë-kërkesën time për intervistë modeste në prag të ndeshjes.
Lagjia e tij në zonën e Brrylit ishte vendtakimi ynë. Më pas u nisëm me makinë drejt Tufinës, ku ndodhet shtëpia e “demave”. Për Gimin ishte hera e parë dhe pse dukej sikur ai më mori te kompleksi. Kjo për shkak se siç përmenda më sipër, thuajse të gjithë e njohin.
Gerondi, burrë rreth të dyzetat, na kërkoi informacion për biletat para se të futeshim në stadium. Dhe pse nuk dinim, e ftuam të qëndronte me ne për të mësuar diçka. Nga ana tjetër e fushës, rezervat e Partizanit stërviteshin teksa presidenti i klubit Gazment Demi kujdesej për punimet.
Ky i fundit nuk ngurroi aspak për t’u afruar, sapo u njoftua. Shkrepa mjaftueshëm foto gjatë takimit, të cilat e di që do mbahen kujtim nga Gimi. Para se të largoheshim, e kujtova për intervistën. Emocionet dhe mendimet e tij për stadiumin ishin shprehur. Pyetjet e mia kishin marrë përgjigje, teksa më poshtë mund të lexohet çfarë kishte mbetur për t’u regjistruar.
- Hera e parë në stadiumin e Partizanit. Cila ishin përshtypjet dhe ndjesitë që të përcjell ky impiant?
[caption id="attachment_667194" align="alignright" width="300"]
Gimi në ish kompleksin Partizani[/caption]
Sinqerisht, u mahnita nga kjo bukuri që ka ky ambient që quhet klubi i zemrës sime dhe shumë tifozëve të kuq, Partizani. Dhe ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte se takova z.Gaz Demi. Një njeri i shkëlqyer, me të cilin bëmë foto, shkëmbyem mendime. Këtu ka vend plot që të bëhen gjëra të tjera dhe nuk e diskutoj gatishmërinë dhe zemërgjerësinë e zotit Demi. Kam përshtypjen që shumë shpejt Partizani do bëhet një ekip i egër në kuptimin e mirë të egërsisë, me një fjalë ekip i fortë, i pathyeshëm dhe them do kontribuoj shumë në ecurinë e Kupave të Europës.
Të them të drejtën jam shumë i emocionuar, se po shikoj që po stërviten dhe këta djemtë e rinj. Shikoj një organizim perfekt, njerëzit punojnë pa pushim. Kam gati dy orë që po rri këtu për relaks dhe shikoj një mrekulli që do bëhet. Këtu do ecin akoma punimet. Është bërë dhe një hotel i shkëlqyer, ku do u afrohet akomoditet futbollistëve.
Por që, unë jam shumë i impresionuar dhe s’di çfarë të them më shumë. Kjo kënaqësi që më ka dhënë sot Partizani… gjithmonë do të jem këtu në stadium të shoh Partizanin me ca miqtë e mi, një mrekulli.
- Ke provuar dhe emocionet në ish-kompleksin Partizani. Cili është ndryshimi?
Duke e krahasuar me klubin e vjetër që mbetet peng shumë i madh sepse ishte një klub model dhe “shumë-sportësh”, e shikoj që ky kompleks që po bëhet do jetë shumë më i bukur. Ajo që më pëlqen më shumë është fakti se është diku në kodër, në ajër të pastër që mund të stërviten futbollistët. Është dhe një lloj relaksi ku mund të vish për qejf, për kafe. Të thuash: “Po shkoj te klubi Partizani se është ajër i pastër dhe është qetësi”. Është një mrekulli e veçantë për mua, që ka notën 10 me shumë, shumë yje.
- Kapaciteti, mungesa e tribunave prapa porte dhe fusha e stadiumit janë problematika të përmendura nga tifozët.
Siç e thashë dhe më përpara, kompleksi i vjetër ishte një kompleks model. Edhe ky që po bëhet, do jetë akoma dhe më i bukur. Me kalimin e kohës jam mëse i sigurt që dhe tribunat prapa porte do të bëhen. Stadiumi mund të shkojë te gati 7000-8000 vende. Është normale për këto ndeshjet e kampionatit tonë. Sigurisht, kur ka ndonjë ndeshje derbi mund të kalojë te “Air Albania”.
Sa për barin sintetik, duhet të flitet me specialistët se nuk ia di kësaj fushe. Dikur jam marrë me atletikë dhe garonim në dhé, jo në tartan. Megjithatë nuk besoj që të bësh gjithë këte investim dhe të lësh gjëra që mund të dëmtojnë ekipin. Këto i ka në dorë presidenti me gjithë specialistët, që besoj se do rregullohet shumë, shumë më mirë seç e mendojnë tifozët.
Tifozët e Partizanit patjetër që duhet të jenë të kënaqur se ne erdhëm në shtëpinë tonë përfundimisht. Ishim pa shtëpi dhe stërviteshim rrugës, jo me kohën e duhur dhe kjo sillte dhe mungesa që nuk kishte rezultat. Nuk mund të bësh 1 orë e gjysmë stërvitje në ditë dhe të përballosh kampionatin dhe Kupat e Europës. Po ta shumëzosh me shumë, në këtë kompleks dalin miliona, miliona, miliona të mira. Kështu që, ju lutem tifozëve të Partizanit, mundësisht të vini javë për javë ta mbushni. Edhe në stërvitje të shikoni Partizanin, siç shkonim ne në kohën tonë, që shkonim te klubi dhe shikonim çdo lloj stërvitje, çdo lloj sporti.
[caption id="attachment_667195" align="alignleft" width="225"] Presidenti Demi me tifozin Gimi[/caption]
- Ndikimi që pritet të ketë stadiumi te ecuria e skuadrës në kampionat?
Gjithmonë kur fillon diçka të bukur ka një rrugë dhe ecuria e kësaj rruge ka filluar. Ka filluar shumë e bukur. Nuk po i vë emrin stradë, nuk po i vë emrin autostradë, por di të them që ecuria e kësaj ka një mrekulli dhe besoj që Partizani do të bëhet një Partizan i egër siç e thashë dhe më sipër. I egër në kuptimin i fortë, që të dali kampion, të konkurrojë në kupat e Europës. Të bëhet një akademi e shkëlqyer dhe të bëhet dhe shkolla e futbollit shqiptar.
- Rekomandim për ndryshim.
Po mendoj për emrin e Partizanit. Me një fjalë, për mua si Gimi, se unë e kam njohur dhe personalisht nga afër të madhin Panajot Pano, mendoj që kompleksit t’i vihet emri “Kompleksi Partizani Panajot Pano”. Ky është mendimi im personal, pastaj e vendosin ata që kanë të drejtën e tyre mbi pronësinë e Partizanit.
- Prezenca në ndeshjen e parë kundër Bylisit?
Unë patjetër që do jem prezent dhe do marr dhe shumë miq. Një nga ata miqtë e mi, është tifozi i hershëm i Partizanit, Hysni Zela. Këngëtar i Ansamblit Shtetëror, vëllai i të madhes Vaçe Zela, që fola në telefon pak më përpara. Dhe një thirrje të gjithë tifozerisë së kuqe, të rinj, të vjetër dhe të jenë në stadium të inkurajojnë Partizanin dhe tek e fundit, të kontribuojnë duke blerë një biletë që ato të ardhura të shkojnë për të mirën e Partizanit. Që të bëhet investim më i madh e më i bukur. Edhe një herë, ju përqafoj që të gjithëve dhe suksese!
Pyetjeve u erdhi fundi. Mua më kishte fluturuar koha dhe nuk më premtonte për punën. Gerondi ishte i vendosur të qëndronte, priste akoma informacion për biletat. Gimi më kuptoi, ndërsa vazhduam të ndanim mendime kur po largoheshim. Bashkë do bëhemi sërish të hënën.
Më pak se 24 orë na ndajnë nga ndeshja e kampionatit kundër Bylisit. Partizani është pritës dhe tifozëve nuk u duhet të shtegtojnë. A ka vend për rregullim? Patjetër sepse projekti është i papërfunduar. Çfarë duhet pasur parasysh është se nga ferrat e asaj zone, ka lindur “trëndafil” i kuq. Quhet ”Kompleksi Partizani”. /Emanuel LOCI/