Ndeshja Teuta – Partizani që përfundoi me rezultatin 0-1, ka hapur debat të madh në vendin tonë. Kjo për shkak të sjelljes së Olsi Ramës, i cili në përfundim të 45 minutave ka zbritur në dhomat e zhveshjes duke u kapur me arbitrat.
Gjyqtari kryesor i takimit, Olsid Ferataj ka depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollit raportin e ndeshjes. Newsport.al ka zbardhur pretendimin e gjyqtarit të kolegjiumit të Fierit, i cili shkruan: “Zyrtari i FK Partizanit, Olsi Rama në pushimin mes dy pjesëve, kur po prisnim daljen e ekipeve, afrohet duke na ofenduar dhe sharë. Më pas e ka larguar security”.
Vetë drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, i ftuar po atë ditë në panelin e emisionit “Skaner” deklaroi se nuk mohonte asgjë nga ato që thuheshin, por theksoi se gjithçka e kishte bërë për të pasur drejtësi në fushën e blertë. Kujtojmë që ndeshja Teuta – Partizani ishte finalja e parakohshme e këtij sezoni, pasi barazimi apo fitorja e durrsakëve çonte me një dorë te titulli “Djemtë e Detit”. /Newsport.al/