
Kukësi arriti të fitonte me rezultatin 3-1 kundër Tiranës, ndeshje e vlefshme për javën e 14-të të Superiores. Kjo sfidë u trumbetua me të madhe nga ana e klubit verilindor, madje ishte drejtori Nderim Nexhipi që deklaroi se lojtarët kanë marrë edhe premio për triumfin në fjalë. Një deklaratë që në pamje të parë të krijonte një shije të mirë, pasi puna e lojtarëve ishte shpërblyer nga ana e drejtuesve.
Por, në fakt situata është krejt ndryshe në klubin verilindor. Neësport.al është interesuar dhe ka mësuar nga burime të besueshme se nuk ka pasur premio për triumfin ndaj bardhebluve. I zënë ngusht nga të pranishmit në studio, Nexhipi është detyruar të thotë diçka të tillë, por që s'është aspak e vërtetë. Veç kësaj, futbollistët janë me sytë drejtuar nga presidenti Safet Gjici pasi prej ditësh presin të marrin rrogat e tetorit, por s'ka asgjë në horizont.
Edhe pse performancat në fushë kanë ardhur duke u rritur, me sa duket kreu i verilindorëve s'e prish aspak terezinë. Lojtarët s'janë paguar prej dy muajsh, ndërsa në panelet sportive trumbetohet nga zyrtarët e klubit, që përveç pagave, ka pasur edhe premio. Por, që s'është e vërtetë. /Newsport.al/
Çfarë deklaronte Nderim Nexhipi te Procesi Sportiv:
"Nuk është e vërtetë. Pasi presidenti i paguan lojtarët rregullisht. Tani si në gjithë kampionatin mund të kenë vonesa. Ndërsa një gjë që nuk e kemi thënë më parë. Presidenti më mori në telefon para ndeshjes dhe më tha se lojtarët do të kenë premio për fitoren ndaj Tiranës.
Është një fakt që çdo ndeshje ne e luajm jashtë Kukësit. Po luajte në Kukës dhe në Elbasan është diçka krejt e ndryshme. Tjetra është se lojtarët si kemi patur të plotë që nga fillimi. Unë e them me besim se me ato kualitete që ka Kukësi do të vijë dhe do të zhvillohet".