
Oltijon Kërnaja do të jetë zëvendës-trajner i Kukësit. Burime të besueshme pranë klubit verilindor bëjnë me dije për Newsport.al që tropojani është ftuar nga drejtuesit për të qenë pjesë e stafit teknik në sezonin e ri. Mësohet se përgjigja ka qenë pozitive dhe ai do t’i bashkohet kuksianëve në përgatitjet për edicionin e ri futbollistik.
Kërnaja është trajner me eksperiencë në futbollin shqiptar dhe zotëron licencën UEFA Pro. Ai ishte në krye të 21-vjeçarëve në sezonin që lamë pas, ndërsa tanimë do të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës së parë.
Kujtojmë që situata te verilindorët nuk ka qenë aspak pozitive. Pas arrestimit të Safet Gjicit, fati i kukësianëve nuk dihej. Megjithatë gjithçka duket se është kaluar dhe tashmë do të nisë puna për të qenë kompetitivë në sezonin e ri futbollistik. /Newsport.al/