
Raphael Dwamena është padyshim zbulimi i këtij sezoni te skuadra e Egnatias. I afruar në merkaton e dimrit, sulmuesi afrikan po bën jashtëzakonisht mirë duke i mrekulluar të gjithë sportdashësit shqiptarë.
27-vjeçari është aktivizuar në 11 ndeshje duke shënuar 8 gola dhe ka dhënë 3 asiste. Nga ndeshja në ndeshje ka njohur progres në lojën e tij. Në këtë mënyrë ai ka tërhequr dhe vëmendjen e klubeve të kampionatit shqiptar.
Burime të besueshme pranë Egnatias bëjnë me dije për Newsport.al që Partizani dhe Dinamo kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. Por, presidenti Agim Demrozi nuk ka ndërmend ta lërë të lirë lojtarin.
Të njëjtat burime tregojnë se kreu i klubit rrogozhinas i ka vendosur një çmim prej 500 mijë eurosh, kushdo që e do shtatlartin në organikën e vet. Padyshim kjo shifër e lartë për nivelin e kampionatit shqiptar duke zbehur mundësinë e një transferimi.
Megjithatë situata nuk qëndron e njëjtë jashtë kufijve. Për Dwamenën ka dy oferta. Bëhet fjalë për një skuadër nga Egjipti dhe një nga Izraeli. Emri i tyre nuk bëhet me dije për shkak se palët vijojnë të jenë në negociata.
Pritet të shihet se çdo të ndodhë, ndërsa sot Dwamena do të jetë në fushë kundër Partizanit, ekip që ka shprehur interes për shërbimet e tij. /Retin TOKA/