
Teuta do të luajë në Kupat e Europës, por boshllëku i krijuar nga largimi i Sherif Kallakut është shumë i madh. Drejtuesit e "Djemve të Detit" po studiojnë me kujdes tregun vendas, pasi i huaji nuk ofron shumë. Burime të sigurta pranë durrsakëve bëjnë me dije për newsport.al që për të plotësuar repartin e mesfushës po synohet Erando Karabeci.
Shtatshkurtrit të Tiranës i ka përfunduar kontrata me bardheblutë dhe lëvizja e tij drejt Durrësit duket më se e arritshme. Eksperienca e madhe në kampionatin shqiptar, por shpesh edhe në Kupat e Europës e bëjnë 31-vjeçarin të duhurin për organikën e Edi Martinit.
Duhet theksuar se kapiteni i Tiranës synohet nga drejtuesit e Teutës, ndërsa në ditët në vazhdim do të zbardhet përfundimisht e ardhmja e tij. Siç e ka thënë vetë, zgjedhja e parë është Tirana, mirëpo në këto ditë të nxehta merkato, mëngjërashi mund të joshet nga projekti i durrsakëve duke u larguar pas 10 vitesh nga kampionët e Shqipërisë.