
U afrua te Partizani në merkaton e verës së shkuar. U mor për të bërë diferencën si një lojtar që kishte luajtur në Seria A, mirëpo karriera e tij në Shqipëri ishte me disa "ulje-ngritje". Dejan Boldor, qendërmbrojtësi rumun, tanimë i larguar zyrtarisht nga 16-herë kampionët e vendit, rikthehet të rrëfehet për Newsport.al.
Shtatlarti 25-vjeçar analizon sezonin e gjatë me Partizanin, kontributin e dhënë për të kuqtë si dhe ndalet te sherri i shumëpërfolur për shokët e skuadrës. Për herë të parë flet pa "doreza", ndërsa preferon të mos japë shumë detaje për atë që ka ndodhur poshtë pallatit të tij, pasi ai dhe disa lojtarë të Partizanit u diagnostifikuan me Coronavirus.
S'lë pa përmendur as drejtorin Olsi Rama të cilin e vlerëson për punën e bërë në klubin e kuq. Tregon se u afrua në ekip me ndërmjetësimin e Dritan Dervishit dhe dëshirën e Franco Lerdës. Sipas tij, Partizani ishtë ndërtuar për titull dhe i kishte të gjitha mundësitë për ta arritur. Por, Tirana është skuadra "plangprishëse" që rrëzoi gjithçka të ndërtuar në verë pas asaj fitoreje 2-1 në derbi.
Duket i dashuruar me ngjyrën e kuqe teksa publikisht e thotë: "Nuk do të luaja kurrë me bardheblutë. Në Shqipëri kthehem vetëm për ngjyrën e kuqe, ashtu siç është zemra ime".
- Dejan, tashmë jeni larguar nga Partizani. Si ishte aventura juaj në Shqipëri?
Po, kam mbyllur gjithçka me Partizanin. Karantina ime pasi u preka nga Coronavirusi thuajse i dha fund bashkëpunimit me të kuqtë. Kishin mbetur edhe dy ndeshje për të finalizuar gjithçka. Në aspektin personal, mund ta konsideroj si një aventurë pozitive. Por, normalisht jam i trishtuar, i mërzitur që nuk morëm një trofe tjetër për ne, për tifozët tanë të mrekullueshëm. E kam dashur Shqipërinë, kam mësuar shumë gjëra dhe kam shijuar vendin tuaj së bashku me motrën time për një vit të plotë.
- Fillimisht u cilësuat si një nga mbrojtësit që do të mbanit peshën e prapavijës së kuqe. Çfarë ndodhi me ju?
Natyrisht është më e lehtë të vlerësosh një lojtar, por unë do të thoja që gjithçka në skuadër është në grup. Kur ka rezultate, ekipi shkon mirë. Është më e lehtë. Por, pas ndeshjes së dytë në derbi, gjërat ndryshuan shumë sa i përket besimit dhe rezultateve. Kjo s'ishte aspak e mirë për ne.
- E nisët me Lerdën, ndërsa thuajse e mbyllët me Sormanin. Cilin trajner vlerëson më shumë dhe pse?
Të dy trajnerët më mësuan shumë gjëra, që do të më ndihmojnë në të ardhmen time. Kam luajtur me të dy.
- Po, por Adolfo Sormani deklaroi që ju kishit luajtur më shumë te Partizani se 2 vitet e fundit, pra keni qenë dikur i mirë...
Nuk kam çfarë them, veçse dua t'i falënderoj të dy.
- Kush iu solli te Partizani?
Zoti Lerda së bashku me Dritan Dervishin. Pata bisedime për rreth 2 muaj derisa vendosa të firmosja me Partizanin.
- A mendon se Partizani kishte potencialin për t'u shpallur kampion? Çfarë nuk shkoi në ekipin tuaj?
Unë mendoj se e nisëm pjesën e parë dhe të dytë të sezonit mirë. Ishin të gjitha mundësitë për të fituar. Vërtetë mendoja se mund ta arrinim. Por, ajo ndeshje e humbur në derbi ndryshoi fatkeqësisht gjithçka negativisht për ne.
- Drejtori Olsi Rama është parë shumë afër skuadrës. Si ishin dhe janë marrëdhëniet e tua me të?
Po është e vërtetë. Nëse keni një biznes dhe nuk jeni aty, s'mund t'i shihni problemet reale. Sipas mendimit tim edhe në futboll s'është e njëjta gjë. S'mund të ulesh dhe të punosh nga zyra. Unë kam pasur një marrëdhënie të mirë me të dhe do ta falënderoja për shumë gjëra që kemi pasur së bashku.
- Ju keni pasur fatin të luani në Seria A. A duhet të qëndrojë një drejtor i përgjithshëm i klubit aq afër skuadrës?
Po, është më mirë që një drejtor të vijë dhe të shohë praktikën, lojtarët, t'u kushtojë vëmendje dhe përgjegjësi futbollistëve. Është absolutisht e nevojshme!
- Emri juaj u lakua gjatë në media për një sherr mes jush dhe disa lojtarëve të Partizanit. Në dijeninë time ajo përplasje realisht ka ekzistuar, madje dhe me pamje filmike. Pse zgjodhët të qëndronit sërish në një skuadër ku kishte keqkuptime mes futbollistëve?
Ekzistojnë gjithmonë disa keqkuptime të vogla për një person. Ajo mbaroi dhe unë preferoja të mos i bëja shumë më të mëdha se sa ishin.
- Meqenëse po këmbëngulni, nuk po e vazhdoj më tej. Pyetja ime e radhës konsiston: Do të preferoje një denoncim për të vënë drejtësi apo do të mjaftoheshit që detyrimet financiare ndaj jush të zeroheshin për t'u larguar nga një skuadër?
Unë s'kam nevojë për para, s'kam nevojë për asgjë. Do të mungojnë shumë nga lojtarët, kam dashur të luaja për Partizanin, kam qenë vërtetë i lumtur atje!
- Kush nuk ka nevojë për para?! Gjithmonë janë të pamjaftueshme pasi siç thonë, jorgani nis e zgjatet...
(Qesh)
- Do të preferoje sërish një aventurë në Shqipëri?
Ekipi i vetëm nëse do të rikthehem ndonjëherë në të ardhmen, do të jetë vetëm Partizani dhe asnjë ekip tjetër. Kjo është skuadra për të cilën unë do të bëj gjithmonë tifozllëk.
- Çfarë iu ka mbetur në mendje për gjatë këtyre muajve në Superligën shqiptare?
Pashë shumë futbollistë të mirë, por kuptova që të rritesh nivelin, duhen më shumë investime në shumë gjëra. Shqipëria ka talentë, por jo të përgatitur si duhet. Shumë probleme nisin nga lart. Shpresoj që atje të investohet shumë në akademi, në trajnerë, në stadiume, në ambiente. Mendoj se duhet të ndryshohen të gjitha dhe gjithçka. Shqiptarët kanë zemër dhe talent, por duhet një kujdes ndryshe për të arritur atje ku duhet.
- Do t'i thoje "Po" Tiranës?
Jo nuk do të nënshkruaj kurrë me Tiranën. Kam respekt për tifozët e Partizanit dhe nuk do ta bëj kurrë atë. Është një zgjedhje zemre dhe e imja është e kuqe.
- Pyetjet përfunduan, por një mbyllje nga ju Dejan...
Uroj të gjitha të mirat për Partizanin, tifozët. U uroj rezultate të mira në sezonin e ardhshëm. Jam i bindur që Partizani do të kthehet më i fortë vitin e ardhshëm. Jam i sigurt për këtë. Presidenti Gazi di të bëjë investime thelbësore dhe të mira. Faleminderit Shqipëri dhe faleminderit Partizan për të gjithë mbështetjen e dhënë në këtë vit për mua. Do të jem gjithmonë tifozi juaj!/ Retin TOKA/