
Laorent Shabani është një nga talentët shqiptarë në Europë që u refuzua nga trajneri i Kombëtares U-19, Erion Bogdani. 18-vjeçari po shkëlqen në Suedi dhe newsport.al ka mësuar se ai ka firmosur kontratë profesionisti me ekipin e Malmos. Shabani është rritur në ekipet e moshave në Suedi. Babai i tij, Flamuri, është trajner i Malmos U-13.
Newsport.al ka mësuar ekskluzivisht se zbuluesit e talentëve dhe njëkohësisht vëzhguesit e FSHF-së në Europë ia kanë ofruar Shabanin, trajnerit të Kombëtares U-19, Erion Bogdanit. Ky i fundit në mënyrë të prerë ka refuzuar që talenti shqiptar t'i bashkohet kuqezinjve. Së fundmi bëhet me dije që është përfaqësuesja e Suedisë U-18 që i ka bërë një ftesë atij për të qenë në kombëtaren suedeze. Nuk është marrë ende një vendim nga ana e mesfushorit, megjithatë në familjen shqiptare janë të bindur për t'i shërbyer kombit të tyre.
Në një prononcim të shkurtër për newsport.al, babai i Laorentit është shprehur: "Do të presim hë për hë. Më pas do të vendosim". Ndërkohë bëhet e ditur që në muajin janar, Shabani do të mund t'i bashkohet Kombëtares U-19, megjithatë këtë do ta vendosë përfundimisht vetëm Erion Bogdani.