Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

EKSKLUZIVE/ "Dy jetë të kem, jam tifoz i TIRANËS", analiza e ish-drejtorit kampion: Partizani po humb një super lojtar, koha më dha të drejtë për Michael NGOO

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ "Dy jetë të kem, jam tifoz i TIRANËS",

Ka lindur aty, është rritur aty dhe vijon të jetë sërish pranë. Ka qarë dhe qeshur nga gëzimi, e njeh mjaft mirë atë ambient. "Tirona" është lëkurë e dytë për të. "Sikur dy jetë të kem, do të jem vetëm tifoz i Tiranës", kaq mjafton dhe kupton dashurinë e pakufijshme për ekipin më të titulluar në Shqipëri.

Arbi Laçi, ish-drejtori sportiv i bardhebluve që arriti për herë të fundit titullin kampion me kryeqytetasit është larg zyrave të klubit, por shumë afër emocioneve të derbit të kryeqytetit. I rritur dhe i lidhur ngushtë me suksesin, tashmë si menaxher i shumë futbollistëve të njohur në vendin tonë, ai jep prognozën për derbin e së hënës.

Në një intervistë për Newsport.al, Laçi sheh Tiranën favorite ku tregon se për herë të parë bardheblutë futen në fushë pa presion. Analizon Partizanin e Dajës duke theksuar se të kuqtë po humbin cilësitë e një lojtari që do të bënte diferencën si Herald Marku. Është i bindur se Partizani do të rikthehet, por elementi kohë e penalizon.

Sa ndryshon Tirana e titullit me këtë ekip aktual? Përgjigjet i ka të drejtëpërdrejta, s'i pëlqen të driblojë. Madje zgjedh dhe goditjen e bardhebluve në këtë merkato vere. Parashikon rezultatin, ndërsa në fund premton se në janar do të sjellë në Shqipëri 3 lojtarë që do të bëjnë diferencën.

- Të hënën, luhet derbi i radhës mes Tiranës dhe Partizanit. Si e parashikon këtë sfidë?
Është momenti më i mirë i Tiranës për ta luajtur këtë ndeshje pa presion, thjeshtë si të radhës për ta fituar. Për herë të parë në të gjithë këto vite kanë mundësinë të luajnë dhe për barazim, pasi kanë luksin e pikëve dhe diferencës me Partizanin. Kanë avantazh faktorin psikologjik prej startit të mirë të sezonit dhe prej asaj fitore të madhe që morën përballë Teutës. Partizanit i duhet shumë sforco për të nxjerrë më të mirën nga vetja për të fituar këtë takim. Fillimisht kanë një ndeshje me veten për të fituar e më pas atë përballë Tiranës.

- Nga Tirana kampione e para dy sezoneve te skuadra e Orges Shehit. Sa ka ndryshuar ekipi bardheblu?
Mos t'i krahasojmë pasi janë komplet dy skuadra të ndryshme. Numëroj 2 futbollistë tek ky ekip të mbetur nga skuadra e titullit. Një kapitull i ri ky, ndërsa e shkuara tani është histori e bukur.

- Partizani në letër vlen më shumë se Tirana. Pse mendon se po çalojnë të kuqtë?
Cilësisht Partizani është skuadra më e kompletuar e kampionatit në këndëvështrimin tim. I shoh ende në kërkim të vetes, në një fazë eksperimentale që i dëmton dhe i lë larg zonës titull.

- Ergys Kaçe ishte një nga afrimet e bujshme të merkatos së verës, megjithatë Rron Broja po rezulton i pazëvendësueshëm. Mendimi juaj?
Partizani është në masën 70 përqind një skuadër e re këtë vit, ndryshe nga ajo e sezonit të shkuar. Kaçe do të bëjë diferencën, por i duhet kohë, kohë të cilën Partizani e ka të paktë për momentin.

- Tirana ka Limajn, ndërsa Partizani ka Dajën...
Tirana ka Limajn, ndërsa Partizani ka Herald Markun të cilin ende s'e kanë shfrytëzuar dhe për mendimin tim po humbin një lojtar që bën diferencën.

- Në kohën kur ishit drejtor te Tirana, fitorja në derbi ktheu për mirë gjithë sezonin. Bardheblutë këtë sezon duken se janë potencialisht për titull. Si njohës i mirë i ambientit, një rezultat negativ, a do ta trazonte situatën?
Nuk ka arsye për të trazuar situatën. Kanë pikët, cilësinë dhe qetësinë për të menaxhuar. Pas fitores së parë në derbi dhe triumfit 5-1, Tirana i ka larguar makthet e atyre viteve pa sukses përballë Partizanit. Tani janë më të qetë dhe kjo e bën më të thjeshtë.

- Shumë ndërhyrje nga Tirana në merkaton e verës. Cilin futbollist do të veçonit?
Michael Ngoo është lojtari më i rëndësishëm i merkatos së verës. Nuk duhej të ishte larguar një vit më parë. Unë e doja me çdo kusht dhe koha më dha të drejtë. Kjo s'ka rëndësi tani, rëndësi ka që Ngoo është aty dhe po bën mirë.

- Zemra rreh bardheblu, profesioni duket pa ngjyra. Të hënën, tifo për Tiranën apo për Markun dhe Shehin?
Unë jam tifoz i Tiranës, edhe po të kem dy jetë. Puna është tjetër gjë dhe aty kam mësuar të jem i ftohtë, pa emocione në lëvizjet që bëj.

- Kush shënon në derbi?
Do të jetë një ndeshje pa shumë emocione në fushë. E parashikoj si një lojë shahu ku të dyja skuadrat do të kenë frikë të humbin. Vështirë të ketë gola.

- Eksperienca nuk mungon si në rang drejtues në klubin më të titulluar në Shqipëri, por as në shkallët e tribunës si një nga themeluesit e parë të tifo-grupeve bardheblu. Në situatën që po kalojmë, a mendoni se duhen hapur plotësisht dyert e stadiumeve?
Dyert janë hapur. E shoh të tejkaluar si problem. Në ndeshje të zakonshme të kampionatit, numri real i tifozëve nuk i kalon mesatarisht 30 përqind të kapacitetit të stadiumit. E nëse për ndeshjen e Kombëtares u mbush i gjithë stadiumi, nuk shoh arsye pse të mos mbushet sërish në një Tirana - Partizani.

- Në aspektin personal, ju kemi parë të shëtisni në Afrikë për zbulimin e talentëve. Në një intervistë jeni shprehur se keni gjetur "Ekubanin e dytë". Partizani e kishte shansin t'ia provonte dikur forcën, mos ndoshta këtë herë e keni gati për Tiranën?
Në janar do të sjell tre futbollistë nga turneu i fundit në Nigeri për të cilët jam i bindur që do të bëjnë diferencën. Në këtë kontekts nuk ka vend për të zgjedhur emocionalisht klubin. Klubet në Shqipëri duhet të kuptojnë se është fat të kesh dikë që udhëton 2-3 herë në vit në Afrikë për të parë dhe zgjedhur vetë lojtarët atje. Dy sulmues zgjodha në muajin mars, njëri u transferua në Portugali te Vizela dhe tjetri te Gent në Belgjikë. Kaq mjafton për të kuptuar nivelin e lojtarëve atje. /Retin TOKA/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga