Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

EKSKLUZIVE/ "Dy ditë larg tragjedisë", futbollisti i KUKËSIT tregon momentet e tmerrit në Durrës: Flej çdo natë në makinë, do ishim te "Vila Palma"

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ "Dy ditë larg tragjedisë", futbollisti i

"Jetëgjati s'mund të bëhet jetëshkurtër", kështu mund të niset kjo intervistë me lojtarin e Kukësit, Blerim Kotobelli i cili ka përjetuar momente tmerri atë mëngjes të ditës së martë. Mbrojtësi i verilindorëve duhej të ishte në Tiranë, por itinerari i tij ka ndryshuar. Pas çdo stërvitje me nënkampionët, kthehet në Durrës, aty ku ka shtëpinë.

Vetëm disa metra larg stadiumit "Niko Dovana", 27-vjeçari tregon për neësport.al momentet e tmerrit, tërmetin e orës 2 dhe atë që ndodhi më pas. Shtëpia e dytë e Kukësit, hotel "Vilma Palma" është rrafshuar tërësisht dhe për këtë Kotobelli falënderon Zotin që nuk ndodhi dy ditë më pas. Pikërisht aty pritej që të grumbullohej ekipi kuksian para sfidës së programuar të luhet të premten kundër Tiranës.

Në këtë situatë të vështirë, mëngjërashi ka zgjedhur të qëndrojë pranë shtëpisë së tij, edhe pse familja është larguar nga Durrësi. Ai s'mund ta braktisë shtëpinë, ndaj ka zgjedhur të flejë çdo natë në makinë.

- Blerim, tre ditë pas tërmetit të fuqishëm. Si ndiheni?
Nuk di si ndihem. Ende jam shumë i trembur. Gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë.

- Ju jeni pjesë e Kukësit dhe zakonisht qëndroni në Tiranë. Pse ishit atë mëngjes në Durrës?
Unë prej kohësh vi dhe stërvitem në Tiranë, por udhëtoj çdo ditë në Durrës pranë familjes.

- Si e përjetuat momentin e tërmetit të fuqishëm?
Ç'të të them. Nuk kisha shumë që isha ngritur. E ndjemë dhe atë të orës 2:00, por vendosëm që të qëndrojmë brenda. Menduam se s'do kishte të tjerë.

- Po më pas?
U trondita shumë me atë të orës 4:00. Gjëja e parë që kam bërë, u ngrita nga krevati dhe zbrita në kat të parë ku hapa me forcë derën e shtëpisë.

- Po familjarët?
I kisha zgjuar të gjithë dhe duke bërtitur i nxorra jashtë teksa tërmeti s'kishte përfunduar ende.

- Çfarë menduat në ato momente?
Ishte i tmerrshëm. Nuk besoja që do të ndalonte. Mendova se po shemb çdo gjë. Por, tani në këtë gjendje dua të them: Faleminderit Zot!

- Shtëpia juaj është pranë stadiumit "Niko Dovana", pikërisht aty ku ndodhi edhe një tragjedi me një familje të shuar...
Pranë stadiumit është, por jo afër asaj shtëpisë. Dua t'i shpreh ngushëllimet e mia. Nuk kam fjalë për humbjen e tyre.

- Ndërkohë, vend-grumbullimi juaj "Vila Palma" u rrafshua tërësisht. Çfarë menduat kur u mësuat me lajmin e shembjes së këtij hoteli?
Urova dhe shpresova që të mos kishte pasur njerëz brenda dhe ata që mund të kishin qenë ishalla do kenë shpëtuar. Ne mund të kishim qenë aty, nëse tërmeti do të ndodhte një ditë para ndeshjes sonë kundër Tiranës, pra të enjten.

- A keni frikë të ktheheni tashmë në Durrës pas kësaj tragjedie?
Unë nuk e kam braktisur Durrësin. Këtu kam qëndruar këto ditë. Familja është larguar, por unë jo. Në Tiranë kam ardhur këto ditë veç për stërvitje dhe kthyer sërish në Durrës.

- Keni qëndruar brenda në shtëpi?
Jo, kam fjetur në makinë. Nuk mund ta braktis shtëpinë.

- Shtëpia juaj ka pasur dëmtime?
Jo, shumë pak. Vetëm disa plasaritje të vogla. /Retin TOKA/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga