
Ndeshja Kukësi - Tirana ka përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme. Një garë e parashikuar si garë sportive ka degjeneruar në përplasje mes futbollistëve të dy ekipeve. Në fillim Gjergj Stefa raportoi se Elton Cale ishte kapur me ata të Kukësit. Por, newsport.al ka zbuluar të vërtetën ku mësohet se Cale s'është përfshirë aspak në këtë sherr. Gjithçka ka nisur që në fushën e blertë, pas një rivënie anësore ku nuk respektohet Fair-Play nga Torasa.
Argjentinasi kapet me Musollin, por ndërhyri arbitri për të shuar gjakrat. Ndërkohë, gjatë kohës kur janë nisur për të hyrë në dhomat e zhveshjes, në tunel ka pasur debat të fortë mes Torassës dhe Gavazajt, teksa ky u fundit e ka provuar duke e sharë. Argjentinasi në atë moment e ka kapur për fyti futbollistin e verilindorëve. I ndodhur aty pranë, me nervat që e tradhëtuan, ishte Musolli ai që e goditi me grusht pas shpine shtatshkurtrin e Tiranës. Aq mjaftoi dhe lojtarët e dy kampeve nisën të shtyheshin e konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Pas disa minutash situata u qetësua dhe futbollistët u futën në dhomat e zhveshjes. Tashmë është Disiplina ajo që do të marrë në shqyrtim ngjarjen e ndodhur brenda ambienteve të "Elbasan Arena" për të vendosur më pas për të tre futbollistët.