
Lindon Emërllahu ka shkëlqyer me skuadrën e Ballkanit. Mesfushori 20-vjeçar ka thyer gjitha pritshmëritë duke treguar një formë të jashtëzakonshme nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja. Me teknikun kryeqytetas, lojtari ka rënë në sytë e të huajve ku nuk kanë munguar as ofertat për të.
Burime të besueshme pranë klubit të Ballkanit bëjnë me dije për Newsport.al që në drejtim të suharekasve ka mbërritur një ofertë zyrtare nga Çekia. Bëhet fjalë për 550 mijë euro, por kanë qenë drejtuesit së bashku me Ilir Dajën që kanë vendosur ta mbajnë deri në fund të sezonit lojtarin në skuadër. Synimi është që Emërllahu të rritet edhe më shumë në aspektin profesional. Potenciali është evidentuar nga stafi teknik dhe në verë pritet të shitet me një shifër më të majme.
Aktualisht ai ka luajtur në 14 ndeshje, duke qenë i pakalueshëm përpara mbrojtjes. Pikërisht një nga “ekranet” kryesore të Ilir Dajës që falë punës së palodhur, po vjel frytet te Ballkani i Kosovës. S’mbetet gjë tjetër veçse të pritet merkato e verës për të parë se ku do të transferohet përfundimisht Lindon Emërllahu. /Retin TOKA/