Te Tirana, përgatitjet për derbin e shumëpritur vazhdojnë ndonëse me ritme të ulëta. Trajneri Shehi kishte fatin që prej 2 javëve të punonte me një grup të plotë duke mos u penalizuar nga dëmtimet ndryshe nga Partizani që ishte i përgjysmuar. Mirëpo edhe Tirana nuk kishte si të “shpëtonte” pa gjë.
Ditën e djeshme, Tirana ka humbur shërbimet e zëvendës kapitenit, Filip Najdovski. Maqedonasi pësoi një tërheqje në kofshë gjatë seancës stërvitore dhe pas ekzaminimeve të para duket se do të mbetet jashtë fushave për rreth 4 javë duke humbur një fazë të rëndësishme të kampionatit.
Mungesa e tij qartëson paksa mendjen e Shehit teksa nuk ka nevojë më të bëjë zgjedhje por është i detyruar të hedhë nga minuta e parë dyshen Behiratche – Lulaj. Ish-mbrojtësi i Kukësit pas 90 minutave në Kupë, do të debutojë në Superiore me kampionët në një sfidë derbi.