
Etrit Berisha do të jetë portieri i ri i skuadrës italiane të Empolit. Pasi portieri i këtyre të fundit, Capriles, u dëmtua dhe do të qëndrojë jashtë për disa muaj, drejtuesit e klubit italian u detyruan të “rifuten” në merkato.
Empoli ka vendosur që të blejë pikërisht portierin kuqezi, Berisha. Me këtë të fundit që ishte jashtë planeve të Torinos, duket se është një transferim mjaft i mirë për karrierën e tij. Në orët e ardhshme pritet që portieri të zyrtarizohet dhe të firmosë një kontratë që do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2024.
Kujtojmë që tek skuadra e Empolit, portieri 34-vjeçar do të gjejë dhe dy lojtarë të Kombëtares, siç janë Ardian Ismajli dhe Stiven Shpendi.
Kjo është skuadra e pestë italiane me të cilën do të luajë Berisha, pasi më parë është aktivizuar për Lazion, Atalantën, Spal, dhe së fundmi Torinon.