
Teuta do të luajë të premten në transfertë kundër Tiranës, ndeshje e vlefshme për javën e 20-të të Superiores. Për këtë sfidë, "Djemtë e Detit" po përgatiten maksimalisht nën urdhrat e trajnerit Bledi Shkëmbi. Tomislav Bushiç është afrimi më i fundit, i cili debutoi me fanelën durrsake në sfidën kundër Flamurtarit. Në atë takim, trajneri Shkëmbi i dha disa minuta në pjesën e dytë, ndërsa në takimin kundër Tiranës, ai po "projektohet" si titullar.
Nuk dihet ende përfundimisht formacioni i Teutës, por gjasat janë që sulmuesi kroat ta nisë që nga minuta e parë. Performanca pozitive në ndeshjen kundër Flamurtarit, ka lënë shije të mirë në stafin teknik. Kujtojmë që Teuta luan të premten në transfertë kundër Tiranës, në orën 18:00, në stadiumin "Selman Stërmasi". Durrsakët vijnë në këtë sfidë pas barazimit 1-1 kundër ekipit të Flamurtarit, ndërsa Tirana pas fitores së thellë 4-1 kundër Kamzës.