
Sulmuesi i Tiranës Nnamdi Oduamadi rrëfeu për herë të parë vuajtjet e kaluara që nga thyerja e klavikulës në ndeshjen e fazës së parë në Kategorinë Superiore me Laccin e deri te riaftësimi. Në një intervistë për "Milano Today", ish-lojtari i akademisë së Milanit pranoi se ka duruar gjatë këtyre muajve dhimbje të forta dhe frikë për jetën e tij.
"Aktualisht luaj për një ekip shqiptar, Tiranën. Jam sulmues anësor, por gjatë një ndeshje kampionati u përplasa me një kundërshtar dhe rashë në tokë. U shkela në shpatull me këpucë me taka. Në momentet e para pata shumë dhimbje.
Lojtarit i kishte depërtuar shpatulla në pjesën e brendshme të kraharorit duke ushtruar presion ndaj arterieve. Ky ishte njëri prej rasteve të rralla të dëmtimeve traumatike që parashtron mjekësia.
"Vetëm 1% e të dëmtuarëve në shpatull e kanë këtë problem. Për t'ia dalë mbanë, kemi hequr një gjysmë tendine të njërit gju, sicc bëhet në rastet e krociatëve", shprehet doktori që kuroi Oduamadin Massimo Torre.
Oduamadi pranoi se ka patur vështirësi për të fjetur gjumë.
"Kur më shpjeguan problemet që kisha dhe sa i vështirë ishte operacioni, nuk arrita të flija atë natër, por mjekët më qetësuan.
"Tani jam në shtëpi duke punuar për riaftësimin. Gjithësesi, shpresoj të luaj sa më shpejt", përfundon rrëfimi Oduamadi.
Duke parë nevojat e mëdha që ka Tirana në repartin ofensiv, rikthimi sa më i shpejtë i Oduamadit do të shtonte alternativat për sulmin bardheblu, por klubi duhet të presë deri në riaftësimin e plotë të lojtarit, i cili erdhi gjatë merkatos së verës me bujë.