Partizani e nisi këtë sezon në Superiore me në krye ish trajnerin Italian, Adolfo Sormanin. Të kuqtë arritën të bënin mjaft mirë në kupat e Europës, teksa eliminuan Ferencvaroshin dhe u kualifikuan në turin e tretë. Gjithashtu edhe arkat e klubit u mbushën me 1.2 milionë euro, buxhet i mjaftueshëm ky për një sezon të Superiores. Italiani drejtoi vetëm disa ndeshje në Superiore dhe mungesa e rezultateve bënë që ai të shkarkohej. Vendin e tij e zuri ai që e njeh mirë këtë skuadër, Sulejman Starova, i cili di më së miri se si t’i marë maksimumin futbollistëve të këtij ekipi.
Cilësitë e lojtarëve që ka kjo skuadër, janë të padiskutueshme, por ajo që vlen të përmendet është loja në grup. Me fillimin 2017, kryeqytetasit kanë përcaktuar një fazë përgatitore jashtë vendit, pikërisht në Antalia të Turqisë. Por, përpos kësaj po punohet edhe në merkato ku drejtuesit janë gati të plotësojnë kërkesat e Starovës. Objektivi i Partizanit është i qartë, fitimi i titullit kampion. Tifozët presin të përfundojë ky sezon dhe sigurisht pas shumë vitesh titulli të rikthehet në kampin e kuq. Pritshmëritë janë të tilla dhe për drejtuesit, të cilët e kanë shprehur hapur dëshirën që titulli kët sezon duhet të jetë i kuq.