
Emmanuel Egbo beson. Beson edhe në kualifikimin e Tiranës në raundin e parë të Uefa Champions League. Bardheblutë do të luajnë ndaj Dinamo Tbilisi në transfertë në 19 gusht në orën 19:00, ndërsa nigeriani I stolit ka folur për mediet.
Nga Pogradeci, aty ku Tirana po zhvillon përgatitjet për ndeshjen europiane, Egbo është shprehur besimplotë se ekipi I tij I ka mundësitë të përballojë një skuadër që ka 9 javë që luan në kampionatin gjeorgjian, duke e kryesuar atë. Emmanuel Egbo beson se shanset për kualifikim janë 50 me 50 paçka se Tirana e tij luan në transfertë ndeshjen teke të këtij edicioni të varur prej pandemisë Covid-19.
"Janë të tria rezultatet brenda. Luajmë në fushën e atyre dhe kjo është avantazh për ata. Gjithashtu kanë luajtur nëntë javë kampionat dhe janë të parët, ndaj në aspektin psikologjik dhe fizik janë pak më lart se ne", u shpreh fillimisht Egbo.
"Ne do bëjmë çmos, do japim maksimumin. Do tentojmë, pse jo, kualifikimin në grupe, në Champions ose Europa League. Kam shumë besim. I kemi të gjitha mundësitë. Kualifikimi është 50/50.
Lojtarët që luajnë në vendin tonë janë në formë fizike të mirë, ndryshe nga ata që kanë ardhur nga kampionate që janë mbyllur herët. Duan pak kohë për t'u ambientuar me pjesën tjetër të grupit", tha nigeriani.
"Çdo sezon Tirana lufton për titullin dhe Kupën. Boshti i ekipit është, nuk është se kam shumë punë për të bërë. Shumica e titullarëve janë në ekip. Na ngelët të plotësojmë disa hapësira të lëna nga lojtarët që kanë ikur", u shpreh Egbo.