
“Po t’shifshe burrin tu qa. Unë e kam pa tu qa. Unë i thashë, ishalla humin. A t’u thaft goja më tha, mos thuj se hum Tirona. Ne jemi tironsa”, kaq mjafton të dëgjosh nga Nezihat Stërmasi për të kuptuar se si përjetohej një ndeshje e bardhebluve në familjen e të madhit “Selman Stërmasi”.
Futbolli shqiptar ka lindur shumë vite më parë, edhe para krijimit të sport klub Tiranës që në 1920 hodhi themelet për të shkruar historinë në futbollin vendas. Veç bardhebluve, Partizani dhe Dinamo ishin dy ekipet e tjera që plotësonin tablonë e mrekullueshme të futbollit kryeqytetas.
Historia e tyre është e veçantë, shumë trofe të fituar, plot 58 tituj kampion të Superligës shqiptare janë pikërisht në vitrinën e skuadrave të Tiranës. Xike Bulku, një emër i madh në futbollin shqiptar tregon për Endi Tufën, periudhën që ka luajtur me bardheblutë apo kushtet e mrekullueshme të klubit të Partizanit si dhe Dinamon, ekipin që pati autobusin e parë në Shqipëri.
“Xike Bulku (ish-futbollist I SK Tirana 1947-1957)
Kush ishte ai që nuk kishte leverdi me ndenj me Partizanin? Në qoftëse me Tironën punojshin 5 orë, tre orë pasdite të jepnin të shkojshe në stërvitje. Partizani, Dinamo ishin profesionista. E kishte trajneri skuadrën qoftë në mjes, qoftë gjithë ditën…Dhe përsa I përket ushqimit: unë kam qenë edhe magazinier I Partizanit, ishte ushqim përrallor. Ajo norma e aviacionit nuk arrihet më. Bile kur u lirova thashë ç’mu desh mua që u lirova. Ca t’hajsha n’ shpi e ca kisha te Partizani…Kanë qenë klube…Kur u krijua Dinamo psh… Partizani kur u krijua në fillim flente ke ca barake ke camt, Dinamo aty në Vollga, aty flente, aty hante, imagjinoni vetë ca shpenzimesh…
Ene përsa i përket makinave. Neve me tren shkojshim. I pari klub n’Shqypni që filloi me autobus ishte Dinamo”, thotë ai.
Nuk mund të mungojë as Nuri Bylyku, një nga futbollistët që ka kontribuar për shumë vite për Tiranën. Jo vetëm si lojtar, por edhe si drejtues. Fare shkoqur deklaron se “Tirona është baba e Partizanit”.
“Nuri Bylyku (Ish-futbollist i SK Tirana 1959-1970)
Po Partizani është çuni i Tironës ore. E ka ngrejt Tirona Partizanin. Me shef klubi, me zv.shef klubi, me trajnerë, me futbollista…”, shprehet Bylyku.
Një nga tribunat e “Air Albania Stadium” mban sot emrin e tij. Mban emrin e tij për kontributin e pashoq të dhënë për Kombëtaren dhe Tiranën. Tifozët, i madh dhe i vogël, e duan dhe e shohin si të “tyrin” të madhin Fatmir Frashëri. Në këtë dossier të veçantë s’mund të mungojë as Frashëri, që tregon se si zgjodhi bardheblutë, edhe pse te Partizani gjithçka e kishte “fushë me lule”.
“Qe Besim Fagu, rahmetliu, me i thënë atë që është, disa herë më pat thënë kur erdhi fundi i ditëve të fundit të qëndrimit ushtar te Partizani. Dhe ajo që bënte përshtypje është se besimi thoshte gjithmonë që: “shiko biografinë, te Partizani mund të sigurosh dhe të jetosh pa absolutisht asnjë vështirësie; ndaj mendoje mirë që do rrish apo s’do rrish…unë leverdinë e kisha që të rrijsha. Sepse edhe nga biografia isha… (qesh). Po atje fjalën e kisha dhënë. Ishte një rast I veçantë për mu dhe natyrisht që u ndamë”, tregon Fatmir Frashëri.
Ndërkohë, Nuri Bylyku vijon më tej duke zbuluar dëshirën e tij për të veshur vetëm një fanelë, atë Tiranës. Ishte pjesë e Partizanit prej shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe një ditë të bukur ai tregon se të kuq desh e çuan në Sarandë.
“Jo kisha qef me lujt me Tironën se s’bën. Nëse arrijsha me lujt me Tironën. U lirova me urdhër të vecantë sepse Partizani desh më coi në Sarandë për përforcim meqë unë refuzova që të rri me Partizanin. U lirova. Vazhdova stërvitjen me Tiranën dhe në ’59 disa futbollistë të Tiranës shkuan bënë një turne në Bashkimin Sovjetik. Dhe u futa në formacion. Lujta me thënë ç’është e drejta, erdha tu e përmirësu lojën”, shprehet Bylyku. /Newsport.al/