A do të licensohet Vllaznia për Europë? Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë tifozët shkodranë, por edhe dashamirësit e futbollit shqiptar. Vllaznia po bën një sezon të shkëlqyer dhe pas fitores së djeshme ndaj Laçit do të përballet me Skënderbeun në finalen e Kupës. Shkodranët nëse fitojnë Kupën do të luajnë në Europë, ndërsa kanë shanse ta arrijnë edhe përmes kampionatit.
Duke parë që klubi kishte shumë borxhe në tatime prezenca e Vllaznisë në Europë ishte në rrezik, por tashmë çdo gjë është zgjidhur. Kryetarja e Bashkisë, Shkodër përmes një postimi në faqen zyrtare bën me dije se dy skuadra e futbollit, për meshkuj dhe femra janë licensuar dhe do të kenë mundësi të luajnë në Europë në rast se arrijnë një gjë të tillë.
Pak javë më parë, klubi shkodran pagoi një shumë prej afro 400 milionë lekësh të vjetra në tatime dhe lidhën një marrëveshje që pjesa tjetër e borxhit të paguhet me këste. Borxhi në tatime i Vllaznisë shkonte deri në një miliard lekë, por tashmë çdo gjë është zgjidhur dhe shkodranët janë licensuar për në Europë duke plotësuar të gjitha kriteret për licensim.