
Tirana ka humbur sot 1-0 nga Duddelange në Luksemburg. Sfida e vlefshme për turin e parë kualifikues të Champions League ka parë kampionët e Shqipërisë me dy fytyra dhe në një formë jo të mirë.
Ndeshja ka nisur më mirë për vendasit, që dominuan në pjesën e parë. Në të dytën, Duddelange mbeti me një lojtar më pak pas largimit të Kirch me dy kartona të verdhë, teksa Tirana mori kontrollin e lojës.
Kjo gjë nuk do zgjaste për shumë minuta, me Limaj që barazoi numrat në fushë. Tre minuta pas këtij momenti, Hassan kaloi në avantazh vendasit.
Fundi i ndeshjes solli disa raste për Tiranën, që u pa në tension. Të martë në 12 korrik në 20:00, Tirana luan ndeshjen e kthimit me Duddelange në “Air Albania”.
Pas ndeshjes, për Oversport foli trajneri i Tiranës, Orges Shehi.
“Ndeshje përballë një kundërshtari që ishte me shumë forca pas. E interpretuam mirë, goli ishte i evitueshëm. Për fat të keq kartoni i kuq na prishi skemën 4-2-3-1 dhe na u prish strategjia.
Nuk ishim në presion. Morëm karton të kuq kur ne kishim topin. Dy mesfushorët tanë u ndëshkuan me karton dhe na u vështirësua. Nuk ka mbaruar, është ndeshja e kthimit. Kemi besim se në Tiranë do përmbysim gjithçka.
Champions dhe qarkullimi i lojës? Si mund ta marrë Vesli dhe Totre topin kur kundërshtarët janë të vendosur të gjithë në 40 metra. Morëm krahët disa herë. Ndonjë vonesë në ndërrim krahu na bëri të gabojmë. Kemi strategjinë tonë. Nuk jam dakord si e lexoni lojën për t’u futur mesfusha në lojë.
Ndryshe? Ishim gati për të dalë 4-2-3-1, ose Limaj ose Totre do dilte jashtë. Do dilnim me dy ekrane. Situatat e lojës rrjedhin shpejt dhe nuk e prisnim kartonin.
Seferi qendërsulmues? Mund të luajë edhe në majë, është më efikas në krah. Nëse e shihni Duddelange është shtatëlartë, nëse heqim Devid dobësohemi shumë në shtatëlartësi. Seferi bëri 18 gola duke luajtur në krah.
Ndërrime më të shpejta? Ishim më ulët si lartësi. Kundërshtari bën edhe bllok si te Aleksi që ishte faull. Donim centimetra. Rëndësi ka të kthehet rezultati në Tiranë”, tha Shehi.