"Derbi i kam pasur të gjitha ndeshjet", Agustin Kola: Kur luanim me Partizanin nuk na zinte gjumi një javë para
Shkruar nga NEWSPORT
Kategoria Superiore bëhet gati për derbin e radhës e të shumëpritur mes Tiranës dhe Partizanit. Dy rivalët e përbetuar do të përballen kokë më kokë në ‘Air Albania’ të dielën në orën 19:00 për javën e 14-të të Superiores.
Disa ditë para kësaj sfide, për klubin e Tiranës ka folur një nga legjendat që ka veshur fanellën bardheblu. Agustin Kola një nga ish-lojtarët legjendarë të Tiranës ka folur para derbit, ku me pasion tregon dashurinë e tij të madhe për ekipin bardheblu.
“Tirona është shtëpia ime, jeta ime. Flas nga shpirti dhe nga zemra. Kam qenë 11 vjeçar kur kam veshur atë fanellë mbi kurrizin tim dhe atë numër kam mbajtur. Ajo fanellë çdo vit për mua peshonte 5 kilogram më shumë. Emocionet e mia më të mëdha nuk i kam pasur kur kam filluar sportin, por kur kam lënë futbollit. Kur hoqa atë fanellë, mu duk sikur hoqa 2 mijë kilogram mbi kurriz, sepse ajo fanellë peshon shumë për ne, Tironën.Kemi ndeshjen e derbit këtë javë. Derbi i kam pasur të gjitha ndeshjet faktikisht. Por kur luanim me Partizanin nuk na zinte gjumi një javë para. Sepse kanë qenë ekip konkurent që konkuronin për kampionat. Edhe çdo ndeshje me Partizanin, edhe me gjys goli ta fitojmë jemi shumë mirë.I bëj thirrje tifozëve, sepse flas me emocione dhe shpirt. E fillova 11 vjeç dhe e lashë 38 dhe prandaj thashë se ajo fanellë peshon shumë.I them tifozëve, ashtu si prindërit e tyre në ato kohë që na vinin në stadium, bashkë me ju që atëherë keni qenë të vegjël, t’i bashkohemi ekipit sa më pranë. Sepse bashkimi bën fuqinë. Edhe ne të marrim fëmijët tanë, t’i afrohemi Tiranës dhe t’i japim stimul për këtë ndeshje, por edhe për ndeshjet e tjera”, është shprehur Agustin Kola.