Në vitin 2018, UEFA ndaloi Skënderbeun të merrte pjesë për 10 vite në turnetë evropianë, pas akuzave për trukim ndeshjesh. Korçarët e dërguan këtë vendim në CAS dhe shkallët më të larta ligjore, me UEFA që mori të drejtë për pretendimet.
Kur kanë kaluar katër vite nga dënimi i Skënderbeut, kjo çështje kthehet sërish në vëmendje. Këtë herë, një ish-trajneri i Skënderbeut dhe ish-sponsor i klubit (emrat nuk bëhen me dije), kanë hedhur në gjyq UEFA për prishje imazhi.
Dje, Gjykata e Lartë në kantonin Vaud të Zvicrës publikoi vendimin që i jepte të drejtë UEFA, duke mos njohur ankimin e dyshes për prishje imazhi. Në mediet zvicerane (link 1, link 2) kanë bërë me dije një pjesë të vendimit të Gjykatës, ku thuhet se “gjyqtarët vendosën se raporti nuk i përmendte ankuesit si kriminelë, por se ata kishin lidhje ose njohje me rrjetin e basteve dhe zyrtarëve të korruptuar”. Gjithashtu Gjykata ishte e bindur se raporti ishte publikuar në mirëbesim dhe nuk kishte lidhje qëllimin e dëmtimit të ankuesve.
Katër vite pas dënimit, çështja Skënderbeu kthehet sërish në Gjykatë, edhe pse tërthorazi, këtë herë për ankimin e një ish-trajneri dhe një ish-sponsori, me Gjykatën e Lartë në Zvicër që i ka dhënë të drejtë UEFA.
Kujtojmë se lidhur me këtë ankim, UEFA kishte fituar në shkallën e parë, ndërsa dyshja e të ankuarve në Apel. Tanimë ankimi i UEFA dhe vendimin i Gjykatës së Lartë e mbyll përfundimisht çështjen e dy ankuesve.