Kampionatet në Evropë janë në fazën finale të tyre, aty ku do të përmbushen ose jo objektivat. Në Kroaci, futbolli mbaron pas 3 javësh, pasi kampionati është në fazën finalë. Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Ardian Ismajli ka mbyllur para kohe sezonin, si pasojë e një dëmtimi në këmbë. Lojtarit do i duhet të qëndrojë jashtë për të paktën tre javë, numër ky që korrespondon me fundin e sezonit.
23 vjeçari ka pësuar një tërheqje muskulare dhe pas ekzaminimeve të kryera është parë e udhës një ndalesë tre javore. Mbrojtësi ka qenë titullar në ndeshjen e fundit ndaj Osijek, ndërsa është njëri prej lojtarëve që ka bindur në Kombëtaren kuqezi. Gjatë këtij sezoni me kroatët e Hajduk Split, Ismajli ka zhvilluar 30 paraqitje, duke qenë shpeshherë edhe në formacionin e javës.
