
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi është i ftuar në emisioni "Procesi Sportiv" në "Top-Channel".
I njohur edhe si një tifoz i vjetër i Tiranës, kohë më parë edhe në pozicionin e presidentit të nderit të klubit më të titulluar në vend, Bamir Topi ka dhënë një deklaratë të fortë duke treguar se ka refuzuar kërkesën e një politikani për të dhënë lejen e ndërtimit të pallateve aty ku ndodhet stadiumi "Selman Stërmasi".
"Kur unë kam qenë president i vendit, një nga personazhet më të rëndësishme të politikës ka kërkuar që në stadiumin 'Selman Stërmasi' të ndërtohet pallat. Një gjë e tillë është refuzuar kategorikisht nga ana ime. Nuk e kam lejuar.
Për sa u përket ngjarjeve të fundit te klubi bardheblu, tifozëria e Tiranës duhet ta ndihmojë klubin dhe një gjë e tillë nuk bëhet me sjellje estravagante.
Presidenti Halili po bën përpjekje të jashtëzakonshme për të mbajtur klubin e Tiranës, por nuk e bën dot i vetëm. Duhet ndihmuar. Tifozët le të jenë pjesë e aksioneve, ashtu siç është sistemi i Barcelonës.
Nuk mund të lë mënjanë as institucionet. Kushdo që të jetë në krye të bashkisë së Tiranës, nuk mund ta lërë pezull këtë situatë", tha ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.