Në konferencën e para ndeshjes zhvilluar sot në zyrat e klubit Partizani, drejtori sportiv (zyrtarisht këshilltar i presidentit) i të kuqve Sulejman Starova veç të tjera ka sqaruar edhe mungesën e trajnerit si dhe mungesën e përforcimeve. Në deklaratën e dhënë, Starova ka rrëfyer se italiani Adolfo Sormani do të jetë trajner i skuadrës pas datës 1 korrik, me pretekstin se FIFA nuk e lejon klubin ta regjistrojë për t'a ulur në pankinë ditën e ndeshjes. Argumenti është totalisht i pavërtetë duke qenë se askush nuk të ndalon të prezantohesh para tifozëve si trajneri i skuadrës, të nisësh përgatitjet, të bësh ekipin gati dhe nëse nuk ke liçensën e duhur mund të mos ulesh në pankinë por ta drejtosh skuadrën nga tribuna.
“Në drejtimin e skuadrës do të jem unë dhe Dalipi kjo për faktin se Adolfo Sormani si pasojë e rregullave të Fifa-s nuk mund të rregjistrohet për kompeticionet ndërkombëtare përpara datës 1 Korrik. Rregulla të cilat na kanë penalizuar edhe në përforcimin e ekipit me të tjerë lojtarë. Sukaj tashmë është pjesë e skuadrës, shpresojmë të jetë i gatshëm pasi është i domosdoshëm për ekipin”, ka deklaruar Starova.
Duke mos u mjaftuar me të pavërtetën për trajnerin e munguar, Starova ka shkuar edhe më tej duke thënë se FIFA e pengon skuadrën të përforcohet. Fillimisht FIFA nuk ka asnjë lidhje me Europa Leaguen, pasi është UEFA organizator i këtij kompeticioni dhe së dyti, UEFA ka patur të hënën e kaluar, afatin e fundit për të regjistruar futbollistë për Europën, gjë të cilën Partizani dhe Starova e kanë ditur. Në fund por jo për nga rëndësia, Starova thotë se Sukaj do të jetë gati në një kohë kur në faqen zyrtare të UEFA-s, emri i sulmuesit shkodran rezulton të mos jetë i regjistruar për të luajtur nëser përballë Sllovan Bratislavës. Tifozët e kuq nuk meritojnë të tilla mashtrime në një moment kur presin me padurim prezantimin në Europë të skuadrës së tyre.