
Teuta arriti të fitonte dje kundër Vllaznisë me rezultatin 1-0, falë një goli të shënuar nga Dejvi Bregu. Sulmuesi vlonjat shkundi rrjetën shkodrane duke realizuar "perlën" e javës së 22-të. Ai ishte i ftuar në emisionin "Rubrika Sportive" në RTSH, ku ndër të tjera tregoi që presidenca kishte hapur thesin duke shpërblyer lojtarët për triumfin e arritur.
Ishte vetë Bregu që u shpreh: "Kemi marrë premio në dhjetor, por edhe sot presidenti na shpërbleu. Shumën s'mund ta zbuloj këtu", përfundoi duke qeshur Bregu. Mësohet se kreu i klubit Hasanbelliu ka shpërndarë rreth 10 mijë euro për të gjithë ekipin dhe stafin teknik menjëherë pas përfundimit të ndeshjes me kuqeblutë që vijojnë të mbajnë vendin e parë në Superiore.