Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë i kontaktuar nga "Sky Sports" ka dhënë një deklaratë në lidhje me ndeshjen e parë, duke sqaruar rezultatin dhe se çfarë mundësish kishte ekipi i tij, mandej ka vazhduar të flasë edhe për sfidën që do të luhet kundër Francës të mërkurën mbrëma. Sipas tij, ekipi zhvilloi lojë të mirë kundër Zvicrës dhe nuk e meritoi humbjen edhe pse luajti me 10 vetë.
[caption id="attachment_1907" align="alignleft" width="300"] Shkëlzen Gashi në minutën e 88 të ndeshjes Shqipëri - Zvicër pati rastin më të mirë për të barazuar shifrat[/caption]
“Jemi të zhgënjyer për rezultatin në debutim, sepse megjithë inferioritetin numerik që patëm, ne luajtëm mirë dhe kërkuam fitoren. Ne tashmë duam ta hedhim sa më shpejt pas shpine ndeshjen e Lens-it. Krijuam dy raste të pastra për gol, mbi të gjitha në minutat e fundit me Gashin. Humbja na la shije të hidhur, por në fushë skuadra tregoi më tepër aspekte pozitive sesa negative. Përjetuam një atmosferë të zjarrtë dhe shumë tifozë që në mbështetën dhe kjo shtoi peshën dhe tensionin te skuadra. Edhe pse me 10 lojtarë, në pjesën e dytë ekipi luajti mirë, duke provuar të ndërtonte lojë dhe krijoi raste për gol. Kjo ishte përgjigja më e mirë. Hera-herës në futboll ndodhin surpriza", tha De Biazi.
Franca - Në lidhje me takimin e së mërkurës, De Biazi i referohet historisë së dy ndeshjeve të shkuara, ku Shqipëria barazoi dhe fitoi kundër Francës. "Një vit më parë e mposhtëm Francën në Shqipëri. Përballë tyre kemi luajtur gjithmonë mirë, duke barazuar edhe në Rennes në vitin 2014. Këtë herë do të jetë ndryshe, por pa frikë, do të luajmë shanset tona".