Vllaznia nesër do të luajë në Peqin kundër Luftëtarit, takim që shkodranët besojnë te rikthimi i rezultateve pozitive. Ata u mundën në javën e shkuar nga Skënderbeu me rezultatin 3-0, sfidë që i hapi jo pak probleme skuadrës kuqeblu, e cila kreu disa mbledhje me drejtuesit për të analizuar shthurjen në atë takim.
Por, trajneri Armando Cungu nuk toleron gabimet, teksa vlerëson si të barabartë Luftëtarin me Vllazninë, ndaj kërkon nga të tijtë që të japin maksimumin për të marrë pikët.
“Është një ekip që duhet respektuar. Vjen në këtë fazë të kampionatit me pikë të barabarta me ne, çka do të thotë që duhet ta respektojmë, të jemi shumë seriozë në fushën e lojës për të arritur një rezultat pozitiv, dhe kur them pozitiv, kam parasysh gjithmonë fitoren, që do të ishte rezultat shumë i mirë dhe shumë i favorshëm për ekipin tonë”.
Rezultati – “Barazimi? Nuk ka ndeshje të lehta në Superiore. Mos harrojmë se kundër këtij ekipi ju dhuruan tre pikë Partizanit, duke iu dhuruar një penallti në fund, çka do të thotë që është një ekip serioz dhe nuk duhet marrë aq lehtë. Nuk mund të them se është dështim barazimi, por nuk mund të jem i kënaqur me një pikë, sidomos këto javë, ku ne duhet të tregojmë veten ndaj ekipeve rivale, të cilat do mundohemi t’i lëmë poshtë vetes”.
Formacioni – “Disa lojtarë nuk më kanë bindur dhe jam detyruar të bëj spostime. Kam edhe shumë mbingarkesë, nëse mund të them kështu, kjo nga krahët. Janë 6-7 futbollistë që pretendojnë të luajnë për dy vende. Të jeni të bindur se nesër do të zbresin në fushë ata lojtarë që kanë bindur më shumë gjatë javës stërvitore”, përfundon Cungu.