
Marsel Ismailgeci, Jurgen Celhaka dhe Ernest Muçi ishin tre “gjetjet” e drejtuesve bardheblu në këtë edicion futbollistik. Ndërsa i pari s’ka gjetur shumë hapësira për shkak të formës së mirë të Erion Hoxhallarit në krahun e majtë të mbrojtjes, e njëjta gjë s’mund të thuhet për Celhakën dhe Muçin. Mesfushori është aktivizuar thuajse në çdo ndeshje si titullar, ndërsa talenti Muçi ka gjetur hapësira për të treguar cilësitë e jashtëzakonshme.
Pikërisht nga këta tre futbollistë, 24 herë kampionët e vendit ishin përgatitur për të mbushur arkat e tyre. Interesi dhe sinjalet e para ishin dhënë nga klubet europiane. Por, situata e krijuar nga Coronavirusi ka paralizuar çdo gjë anembanë botës. Në këto kushte edhe tre lojtarët e sipërpërmendur janë të destinuar të qëndrojnë te bardheblutë për një kohë të gjatë. Pa përgatitjen e duhur fizike, e imponuar kjo nga situata e Coronavirusit, vështirë se ndonjë klub do të jetë gati të rrezikojë për t’i pasur në organikën e tyre.