Partizani do të përplaset nesër me Laçin në orën 19:00 në shtëpinë e të kuqve për javën e 20-të të Abissnet Superiore. Në konferencën për shtyp, trajneri Collella foli në prag të sfidës delikate ku do të kërkojë rikthimin te fitorja.
“Për ndeshjen e nesërme lojtarët i kemi të gjithë të gatshëm dhe në gjendje të mirë. Përveç Bilalit, i cili do të jetë i gatshëm që nga data 7 shkurt. “
Ka presion duke iu referuar rezultateve të fundit?
Gjithmonë ka presion. Normale kur nuk fiton ka më shumë presion. Presioni është motivi i vërtet që të paguajnë. Nuk është një punë veçanërisht e vështirë puna me ekipin në këto momente. Gjëja kryesore ishte që më në fund kaluam muajin janar. Muaji janar është ai ku nuk duhet të bësh profesionin e trajnerit. Për fat të keq, fakti që merkato përkon me ndeshjet është një katastrofë, jo vetëm për Partizanin, por për të gjithë.
Por kur bën një propozim gjithë jetën e thua që duhet bërë merkato para se të nisin ndeshjet, duket sikur thua diçka që nuk ka kuptim. Tani jemi të qetë, dimë kush ka ardhur e kush është larguar. Po punojmë që të rikrijojmë disa mekanizma që kemi humbur paksa me largimin e disa lojtarëve. Dhe po krijojmë të rinj.
Kundërshtari i nesërm Laçi.
Laçi për mendimin tim është një skuadër e mirë, ka mjaft kualitete në sulm dhe mesfushë, por edhe në mbrojtje janë mjaft të organizuar. Janë një ekip i mirë. Në këtë kampionat sipas meje nuk ka skuadra të dobëta dhe të forta.
E keni studiuar Laçin?
Ne i kushtojmë gjithmonë vëmendje kundërshtarëve tanë. Por në këto momente ka më shumë rëndësi ajo çfarë bëjmë ne, sepse kemi ndryshuar dhe është e drejtë të jetë kështu.
Sulmuesit e afruar.
Nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë nga më parë, thjesht kemi marë lojtarë me karakteristika të ndryshme. Siç e kam deklaruar shpesh në janar nuk është e lehtë të gjesh lojtarin që të duhet, por sipas meje mendoj që i kemi gjetur.
Golat e pësuar.
Janë shumë arsye pse, nuk është vetëm mbrojtja, është edhe mesfusha. Nuk është se po pësove është faji i mbrojtjes. Pastaj qartësisht ka periudha kur të gjuajnë 10 herë në portë e nuk pëson gol. Ndërsa me ne është një moment siç ndodhi me Egnatian ku me një gjuajtje na shënuan gol. Kështu është, duhet vetëm të punojmë të pëmirësohemi dhe do të vijnë edhe kohë më të mira.
Ndryshime me siguri kemi bërë, por kur ndryshojnë lojtarët, ju mendoni se trajneri ka një buton. Por është e qartë që ndryshojnë gjërat, sepse Skuka ishte i aftë të bënte disa gjëra, e më pak për të bërë të tjera. Ndoshta vjen një sulmues i fortë i cili bën gjërat që nuk dinte të bënte Skuka dhe nuk di të bëjë gjërat që dinte të bënte Skuka. Normale që ndryshojnë gjërat. Por unë mundohem të vendos lojtarët në kushtet që të bëjnë mirë. Megjithatë, mekanizmat e lojës kërkojnë kohë.
Humbjet në shtëpi.
Nuk mendoj se është problem i të luajturit në fushën tonë, është momenti që ndoshta nuk është pozitiv. Nuk është puna ku luajmë e pastaj nuk është pozitiv sa i përket rezultateve, se me Egnatian kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë.
Rrapaj?
Ka katër ditë që nuk e shoh. Nuk është më një lojtar i Partizanit, me 31 është mbyllur merkato ndaj është e pamundur të jetë këtu, është nisur drejt Bullgarisë.
Remzifaik Selmani.
Selmani është një lojtar i mirë, jemi të lumtur që është këtu, ashtu si Mba e Bilali. Është e qartë që bëhet fjalë për lojtarë që kanë nevojë që të marrin pak më shumë besim me fushën e lojës, por mendoj se do të jenë të nevojshëm.