Partizani do të sfidojë sot në Shkodër Vllazninë në orën 17:00 në Loro Boriçi për ndeshjen e parë të cerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë kanë zhvilluar ditën e djeshme seancën e fundit stërvitore dhe nën drejtimin e trajnerit Colella, grupi është stërvitur i plotë.
Partizani do të tentojë të fitojë ndeshjen por edhe të gjithë kompeticionin të cilin ka 19 vite pa e shijuar. Në kampionat, arritja e kupave të Europës duket thuajse e konfirmuar ndaj suksesi në kupë është më shumë një cështje prestigji.
Përsa i përket formacionit, tekniku italian do të vuajë mungesën e Buxhelajt që nuk është rikuperuar ende ndërsa pjesa tjetër është e gjitha në dorën e trajnerit për t’u zgjedhur. Mbrojtësit Hadroj dhe Sota janë rikthyer ndërsa nuk pritet të ketë rotacione me titullarët që do të jenë në fushë pavarësisht se i pret Tirana të hënën në derbi.
Formacioni i Mundshëm:
Partizani (4-3-1-2): Hoxha; Hadroj, Telushi, Menich, Atanaskoski; Rrapaj, Matondo, Murataj; Hoti; Mba, Selmani
Trajner: Giovanni Colella