
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport" është shprehur ndër të tjera edhe për çështjen e trajnerit të bardhebluve, Ardian Mema, duke thënë se ai vazhdon të ketë besim mbi teknikun.
"Besimi për trajnerin Mema? Nuk mund të themi deri tek kjo apo deri tek ajo ndeshje. Besimi vazhdon. E ka besimin tim, sepse është një skuadër që ka një kontigjent lojtarësh të mirë. Mema e ka ndërtuar vetë një pjesë të mirë të ekipit, kështu që le të vazhdojë punën. Shpresoj që të ketë sukses në ditët e ardhshme".
Më tej, Halili ka shtuar se e pranon dorëheqjen nga trajneri apo kushdo qoftë, nëse nuk e përballon dot presionin.
"Dorëheqje e tranerit? Njeriu është i lirë të bëjë çdo gjë. Kushdo që të japë dorëheqjen, nuk e përballon dot punën, apo nuk e përballon presionin, mund të bëjë zgjedhjen e tij. Nisim bisedimet dhe ia pranojmë dorëheqjen, kushdo qoftë", është shprehur Halili.