
Vijon të jetë prezent derbi i kryeqytetit dhe këtë rradhë lufta zhvillohet në distancë. Tirana nuk heq dorë nga refuzimi ndërkohë që Partizani nuk ka ndërmend të dorëzohet. Drejtuesit e klubit të kuq po provojnë me të gjitha mënyrat për të realizuar qëllimin, marrjen me qera për pak muaj të stadiumit “Selman Stermasi”.
Pak ditë më parë kanë dorëzuar një shkresë zyrtare pranë presidentit të Tiranës Refik Halili dhe po në të njëjtën ditë mësohet të kenë depozituar formalisht edhe një shkresë në Bashkinë e Tiranës që është gjithashtu aksionerja minoritare në klubin bardheblu.
Partizani është refuzuar për herë të parë në muajin gusht të vitit të kaluar nga Tirana dhe më pas në muajin dhjetor edhe publikisht nga presidenti Halili.
Të kuqtë e kanë ndarë mëndjen për të mos luajtur më në Elbasan apo jashtë kryeqytetit dhe për të realizuar këtë qëllim kanë planifikuar të marrin OK-in e bashkisë dhe të kërkojnë zgjidhje nga kryebashkiaku Erion Veliaj që ende nuk është shprehur zyrtarisht për këtë çështje.