
Java e 14 e Kategorisë Superiore rikthehet në fundjavë, me shortin që ka rezervuar përplasje interesante. Një nga ndeshjet që pritet me interes, nisur kjo dhe nga performanca e ekipeve është ajo e Ballshit, me Partizanin që kërkon maksimumin ndaj Bylis. Kujtojmë se në fazën e parë, ballshiotët ia dolën t'i "rrëmbenin" një pikë të kuqve në kryeqytet.
Bylis ndodhet në vendin e tretë, pesë pikë larg Partizanit kryesues dhe një rezultat pozitiv do të motivonte më shumë ekipin që ka bërë surprizën këtë edicion. Ekipi i drejtuar nga Dovedan e ka "armën" sekrete për t'i bërë ballë "Demave". Bylis do tentojë të përfitojë nga ish-at e Partizanit dhe në skuadër ka jo pak. Bëhët fjalë për Ditmar Bicaj dhe Ardit Peposhin që janë aktivizuar më herët me të kuqtë, për të mos harruar Jankun dhe Bajramajn që janë aktivizuar me moshat e Partizanit. E shtuna do të vendosë shumë për ecurinë e dy skuadrave.