Sot do të nisë turneu i futbollit të rrugës “Neymarjr5”, i cili është një organizim i Red Bull dhe futbollistit të Barcelonës Neymar Junior. Ky kopeticion përfshin të rinjë nga e gjithë bota, ku merr pjesë dhe Shqipëria. Nis në qytete dhe përfundon me ndeshjet finale brenda shtetit, ku skuadra triumfuese merr pjesë në turneun e përvitshëm, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga pesë djem që e kanë nisur për pak minuta këtë lojë dhe tashmë ndodhen në Brazil. Grupi titullohet “Vetëtimat” dhe përbëhet nga Denis Hyka, Xhuljan Reçi, Erald Leci, Klajdi Ibraimi, Jurgen Isaku. Kapiteni i ekipit është Denis Hyka.
Dje është hedhur shorti ku Shqipëria ndodhet në grupin C së bashku me shtete si Afrika e Jugut, Peruja, Norvegjia dhe Kanadaja Lindore. Turneu nis sot, ndërsa djemtë do të synojnë të shkojnë deri në fazën finale të saj për të arritur trofeun. Lideri i grupit është Denis Hyka, një djalosh nga Tirana që në intervistën e dhënë për newsport.al tregon sesi u krijua grupi dhe cilat janë ambiciet. Ndërsa ndjehet krenar që do të përfaqësojë Shqipërinë në një eveniment të tillë. “Nuk ka gjë më të bukur se të përfaqësosh vendin tënd dhe të ecesh me flamurin tënd mbi supe mes 50 shteteve”, shprehet në fillim Denisi.
Si u lindi ideja për futbollin me pesë vetë?
-Ne u krijuam në momentin e fundit, disa minuta para se të niste turneu në Shqiperi që organizohej nga Red Bull. Në momentin e parë që e mora vesh, edhe pse ishte shumë vonë, mora në telefon disa djem të ekipit me të cilët luaj në nje ekip në Kategorinë e tretë. Si pasion që e kemi futbollin, të gjithë pranuan menjëhere. Dikush ishte në shkollë, dikush në shtëpi e dikush jashtë, por pasioni për futbollin na bëri që direkt u mblodhëm. Për disa minuta u nisëm drejt turneut ku luhej faza paraeliminatore te fushat e Akuadromit. Aty triumfiuam 2 herë. Më pas ishte faza finale ku dolën ekipet fituese në të gjitha qytetet. Faza finale luhej në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por me një ndryshim, luhej në asfalt dhe jo në fushë me bar artificial. Ishte disi e vështirë. Por, aty kaluam 4 ndeshje. Mundëm Shkodrën, djem universiteti dhe lojtarë profesionistë. Nuk e nisëm si pretendent, por ndeshje pas ndeshjeje besimi po na rritej. Dhe, në fund ia dolëm, fituam...
Jeni të gjithë shokë, apo të përzgjedhur?
-Jemi të gjithë shokë.
Kush e organizon?
- Ky turne është krijuar nga Red Bull në bashkëpunim me Neymar.
- Sa ndeshje zhvillohen?
- Janë 50 shtete, 10 grupe me nga 5 ekipe.
Kush është rivali juaj kryesor në grup?
-Këtu në Brazil nuk i kemi parë kombëtaret e tjera si janë, kështu që nuk dihet favoriti.
Keni trajner?
Nuk kemi trajner, por unë jam lideri, unë jam ai që e formova dhe mundohem t’i mbaj djemtë, t’iu flas në lojë.
Cilat janë përfitimet?
-Fituesi i këtij kompeticioni është i ftuar në Spanjë te shtëpia e Neymar dhe i ftuar special në stadium në një ndeshje të Barcelones.
-Ku mendoni të arrini?
Shpresa vdes e fundit kështu që mund të arrijmë me besim dhe dëshirë.
-Çfarë profesioni keni në jetën e përditshme?
-Në jetën e përditshme katër jemi student dhe vetëm njëri punon. Luajmë në grup, mbrojmë bashkë dhe sulmojmë bashkë. Kështu që puna në grup mund të na çojë diku.
Mendoni se do e fitoni trofeun?
-Trofeun e ëndërrojme, por në jetë kurrë mos thuaj kurrë…