
Sportingu i Lisbonës nuk e merr dot veten pas largimit të Ruben Amorim drejt Manchester United. Pas ikjes së teknikut portugez, Sporting po kalon një moment tepër të vështirë në kampionat.
Por situata më e çuditshme ndodhi në ndeshjen e fundit, ku Sportingu u përball me Gil Vicente dhe barazoi 0-0. Arbitri i ndeshjes, Narciso ishte protagonist kryesor në këtë sfidë, duke gjykuar haptazi kundër Sportingut.
Në minutën e 77-të të sfidës, një lojtar i gjigantit portugez u rrëzua në zonën e Gil Vicente. Aksioni vazhdoi dhe Sporting shënoi gol, por arbitri vërshëllehu në momentin që lojtari po godiste drejt portës.
Narciso akordoi penallti për Sportingun, duke ndalur lojën edhe pse në vazhdim ishte një aksion i rrezikshëm. Megjithatë, sikur të mos mjaftonte kjo, kryesori i sfidës vendosi që ta shihte momentin në VAR.
Pas rishikimit, ai e anulloi vendimin e parë për penallti, duke mos e akorduar atë. Kjo solli inatosjen e lojtarëve të Sporting Lisbonës, ku përveç golit që nuk iu quajt, i mohuan edhe penalltinë e pastër.