Milan do të luajë këtë të shtunë përballë Cagliarit të Alen Sherrit, sfidën e vlefshme për javën e 20-të të Serie A. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “San Siro”, nis në orën 20:45. Në prag të duelit ka folur trajneri i kuqezinjve, Sergio Conceicao.
A është ekipi juaj me këmbë në tokë?
“Patjetër. Unë mendoj se kushdo që mendon se fitimi i Superkupës është i mjaftueshëm, nuk mund të punojë në Milano. Është e vërtetë që ne e kemi shijuar, e merituam, por jemi 17 pikë larg nga kreu i tabelës. Një klub që ka fituar 19 tituj kampion dhe 7 Champions League, nuk mund të ketë barkun plotë me Superkupën. Kështu që nesër kundër Cagliarit, duhet të fitojmë dhe të bindim”.
Keni emocione për debutimin në Serie A?
“I kërkoj falje kujtdo që do të zhgënjej, por nuk kam emocione. Kam adrenalinë, gjë që është normale. Kjo vjen edhe kur kupton se ku jam, në një klub historik, por përgatitja për ndeshjen sjell shumë gjëra me vete. Kam shumë gjëra në kokën timë. E rëndësishme është që t’i përgatis mirë djemtë për këtë ndeshje”.
Si duhet menaxhuar triumfi në Superkupë?
“Një nga gjërat që nuk shkoi siç duhet për mua në derbi është se kemi bërë gabime në presing. Ka shumë gjëra për të përmirësuar, padyshim. Mënyra e duhur për të përjetuar një sukses është të mendosh se ka një tjetër para nesh, e cila është më e rëndësishmë. Më pëlqeu, madje kërceva, por tashmë po mendoj për të nesërmen”.