Euforia në kampin e Juventusit nuk është aspak e vogël, përkundrazi. Pas asaj fitoreje fantastike ndaj Manchester City në javën e 6-të të Champions League, tifozët Juventinë presin tashmë një rikthim në shina të ekipit të zemrës.
Në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Venezian të vlefshme për javën e 16-të të Serie A, tekniku Thiago Motta ka folur për mediat në konferencë për shtyp.
“Të gjithë në ekip janë mirë fizikisht dhe mendërisht. Padyshim që triumfi me Cityn ndikon, por grupi është tashmë i fokusuar në ndeshjen e radhës.
Synimi ynë si grup është gjithmonë i njëjtë. Kemi gjithmonë respekt për kundërshtarët dhe futemi në fushë për të dhënë më të mirën tonë me përulësi dhe me seriozitet.
Përsa i përket lojtarëve të dëmtuar, Cambiaso ende nuk është rikuperuar. Nico Gonzalez është rikthyer në grup, është shumë i lumtur dhe është tashmë në dispozicion.
Venezia është një ekip që gjithmonë përpiqet të luajë mirë, ata kanë vënë shumë ekipe në vështirësi me lojën e tyre. Kanë një trajner të mirë dhe me përvojë. Nesër duhet të jemi të vendosur për të luajtur lojën tonë.” – u shpreh Motta