
Mbrëmjen e djeshme Atalanta pësoi një humbje të thellë në transfertë në Champions League nga PSG me rezultatin 4-0. Disfata e djeshme ndaj kampionëve të Europës, duket se ka sjellë një kthesë në kampin bergamask.
Ademola Lookman ka lënë pas hatërmbetjet me klubin dhe është rikthyer. Siç raportojnë mediat italiane, sulmuesi nigerian është rikthyer sot në stërvitje me pjesën tjetër të klubit dhe do të jetë sërish i disponueshëm për ekipin.
Lookman u paraqit fillimisht në mëngjes tek trajneri Ivan Juric dhe shokët e ekipit për të sqaruar situatën. Gjërat thuhet se kanë shkuar mirë dhe Juric po merr në konsideratë ta ftojë nigerianin në ndeshjen e fundjavës ndaj Torinos.
Gjatë gjithë merkatos së verës, Lookman kërkoi një transferim tek Interi, por shuma e ofruar nga zikaltrit nuk e kënaqi Atalantën. Kjo bëri që nigeriani të mbeste në Bergamo.