
Real Madridi po kalon një transformim të thellë pas një sezoni pa trofe. Me mbërritjen e Xabi Alonsos për të zëvendësuar Carlo Ancelottin, tani trajner i Brazilit, klubi ka zyrtarizuar edhe transferimet e Trent Alexander-Arnold dhe Dean Huijsen. Por ka edhe zëra për largime të mundshme, veçanërisht ai i Rodrygos.
Talenti brazilian, i cili mbërriti në Madrid në vitin 2019, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të Premier Ligës, përfshirë Arsenalin, Chelsean dhe Manchester Cityn. Ndërsa shtypi spanjoll po raporton një takim të afërt midis Rodrygos dhe Alonsos për të diskutuar të ardhmen e tij, “The Athletic” në Angli shkruan se lojtari mund të jetë një përparësi për Mikel Artetën, trajnerin e “Topçinjve ”.
Pavarësisht një sezoni zhgënjyes me 14 gola dhe 10 asiste në 51 ndeshje, Rodrygo vazhdon të vlerësohet shumë, me një çmim tregu prej 90 milionë eurosh . Me Vinicius dhe Kylian Mbappe që udhëheqin sulmin për Realin, e ardhmja e Rodrygos mund të jetë larg Spanjës. Edhe pse ai do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, tregu i transferimeve të verës mund t'i sjellë surpriza.