
Mikel Arteta ka arritur të rikthejë Arsenalin në luftën për titullin kampion. Në 2 sezonet e fundit “Topçinjtë” ishin të pafat, pasi pavarësisht se zhvilluan sezone fantastike, nuk ia dolën të triumfojnë.
Kjo për shkak se Manchester City gaboi më pak se Arsenali. Siç duket dy sezonet e fundit janë “pengu” i Artetës, i cili në një deklaratë të dhënë së fundmi ka thekuar se ekipi i tij e ka merituar të fitonte 2 tituj kampion.
“Çfarë keni mësuar gjatë dy sezoneve të fundit? Se ka gjithmonë vend për përmirësim dhe gjithmonë mund të bësh më mirë. Me rezultate të tilla, zakonisht fiton, duhet ta kishim fituar dy herë Premier League.
Realiteti është se ne nuk e bëmë, kështu që kemi më shumë motivim, më shumë dëshirë, më shumë entuziazëm.
A mund ta shikojmë ekipin tonë dhe të themi se mund të përmirësohemi? Përgjigja ime është po, në çdo aspekt. Pra, le ta bëjmë atë”, ka deklaruar timonieri i Arsenalit. Ndërkohë kujtojmë se këtë sezon “Topçinjtë” ndodhen në vendin e 2-të me 39 pikë, 6 më pak se Liverpool kryesues.