
Kevin De Bruyne prej javës ka zyrtarizuar largimin e tij nga Manchester City, me belgun që tashmë po shqyrton të gjitha ofertat për të zgjedhur edhe destinacionin e ri. Të shumta vijnë nga Arabia SAudite dhe MLS, ku disa ekipe janë të gatshme të “mbulojnë” me para lojtarin dhe për të bërë të mundur transferimin e tij.
Por nuk mungojnë ofertat as nga klube të tjera në Premier League dhe sipas “El Nacional” bëhet me dije se Arsenali , Manchester United dhe Newcastle janë nga më të interesuarët për shërbimet e tij. Të 3 klubet angleze janë të gatshme të bëjnë edhe ndonjë sforco financiare për ta bërë pjesë të skuadrës së tyre.
Përvoja që ka mesfushori mbi supe, bën që tashmë drejtuesit e disa klubeve të besojnë “verbërisht” te aftësitë e tij për mesfushën. Siç mësohet menaxheri i lojtarit preferon një kampionat tjetër, pasi nuk dëshiron që tifozët e Cityt t’i kthehen kundër, por gjithsesi De Bruyne ende nuk ka vendosur përfundimisht se ku do të transferohet dhe mbetet të shihet se ku do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.