Manchester City rrezikon një ndëshkim të rëndë, që mund të arrijë deri në 60 pikë minus, nëse shpallet fajtor për 115 akuza për shkelje të rregullave financiare. Çështja ndaj klubit nga “Etihad” vijon prej vitesh, ndërsa vendimi përfundimtar ende nuk është bërë publik.
Sipas "Goal.com", Premier League nuk mund ta rrëzojë direkt ekipin nga kategoria, por penalizime të rënda mund të ketë. Hetimi nisi në fillim të vitit 2023, ndërsa seanca dëgjimore e pavarur u mbyll në fund të 2024-ës, me klubin që vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola pret verdiktin mes pasigurive, teksa eksperti financiar Kieran Maguire shpjegoi vonesat. “Si prokuroria ashtu edhe mbrojtja kanë paraqitur rreth gjysmë milioni prova… mendoj se jemi në fazat përfundimtare të një vendimi”, u shpreh ai.
