Vedat Muriqi vazhdon të tregojë “rrezikshmërinë” e tij në kampionatin spanjoll dhe kjo konfirmohet nga golat “e rëndë” që shënon për skuadrën e tij. Në sfidën që Mallorca barazoi 1-1 në shtëpi përballë Villareal, “Pirati” finalizoi saktë në minutën e dytë të shtesës, gol që solli dhe pikën për të tijët.
Kjo paraqitje “fenomenale” ka rënë në sytë dhe të trajnerit Marcelino, i cili tregoi se çfarë “hoqën” mbrojtësit e tij me një sulmues të një kalibri të lartë.
“Mbrojtësit tanë, Rafa Mir dhe Renato Veiga kishin të bënin me një sulmues që ndjek momentalisht Kylian Mbappe për garën e golashënuesit më të mirë të La Ligas. Thjesht imagjinojeni ku luan Mbappe dhe ku Muriqi. Një lojtar që ka shënuar mbi 50 për qind të golave për skuadrën e tij këtë sezon”, u shpreh Marcelino.
Momentalisht, sulmuesi nga Prizreni është në kuotën e 22 golave, 2 më pak se francezi i Real Madridit i cili mban kryesimin me 24 të tillë.

