Ky sezon për Raphinhan nuk ka qenë më i miri i mundshëm, krahasuar me edicionin e një viti më parë kur braziliani ishte shpërthyes, si me golat ashtu dhe me asistet, çfarë korrespondoi me shpërblimet e pritshme si trofe dhe një vend në top 5-shen e Topi të Artë.
Shumë dëmtime e kanë mbajtur “peng” 29-vjeçarin, i cili humbi disi terren këtë sezon, duke detyruar trajnerin Hansi Flick të kthejë sytë nga alternativat.
Këtë radhë, për sulmuesin gjithçka mund të ndryshojë pasi “sirenat” nga Arabia Saudite janë rikthyer sërish, megjithëse emri i klubit nuk bëhet ende i ditur. Sakaq, edhe pse dëshira e Raphinhas për të qëndruar në “Camp Nou” është e kuptueshme, mes tij dhe Barcelonës janë disa “nyje” për t’u zgjidhur.
Ecuria e dëmtimeve shqetëson katalanasit, sidomos në këtë edicion të Kupës së Botës, ku anësori i majtë nuk qëndroi më shumë se 40 minuta në fitoren e Brazilit përballë Haitit. Edhe pse mjekët s’i kanë dhënë shumë shpresë për vazhdimësinë e turneut, futbollisti nuk ka ndërmend të dorëzohet për të mbrojtur këtë ëndërr.
Shumë çështje janë për t’u zgjidhur pas përfundimit të Botërorit dhe Raphinha, sikurse dhe Barcelona në anën tjetër duhet t’i bëjnë mirë llogaritë... kushedi, këtë herë ndoshta milionat nuk mund të kthehen më mbrapsht, duke kuptuar dhe rendimentin e lojtarit.
