
Në një intervistë të kohëve të fundit me “RMC Sport”, sulmuesi francez shprehu njëfarë cinizmi në lidhje me procesin e përzgjedhjes për trofeun prestigjioz “Topi i Artë”, duke sugjeruar se performancat e tij në fushë nuk janë i vetmi faktor përcaktues. “A jam pretendent për Topin e Artë?
Kam mendimin tim, por nuk ka shumë rëndësi”, tha Mbappe. Një frazë që pasqyron një zhgënjim të caktuar, ose të paktën një vetëdije, për kompleksitetin e kritereve të vlerësimit. Numri “7” francez shtoi më pas:
"I vetmi çmim që mund të ndikoj është ‘Këpuca e Artë’, sepse kjo varet nga këmbët e mia. Topi i Artë nuk varet nga unë”. Pavarësisht se e përfundoi sezonin me “Këpucën e Artë”, e cila i jepet golashënuesit më të mirë, Kylian nuk është ndër kandidatët kryesorë për “Topin e Artë” të këtij viti.