Barcelona ia doli të sigurojë titullin kampion në La Liga, pasi mposhti Real Madridin në El Clasico me rezultatin 2-0, rezultat ky që i dha dhe trofeun e dytë radhazi sa i takon kampionatit.
Një meritë të jashtëzakonshme për këtë dominim ka patur dhe trajneri Hansi Flick, i cili në mëngjesin e së dielës u përball me lajmin e vdekjes së babait të tij.
Megjithatë, siç e shpjegon dhe tekniku gjerman, atij i duhej të merrte një vendim të menjëhershëm, të shkonte pranë familjes ose të qëndronte me skuadrën për ta drejtuar nga stoli.
“Më mori nëna në telefon dhe më tha se im atë vdiq. Isha në dilema, nëse duhet t’ia komunikoja këtë informacion skuadrës ose jo. Vendosa t’u them sepse ata janë një familje për mua. Nuk do ta harroj kurrë se çfarë bënë pas kësaj. E pabesueshme. Jam shumë i lumtur dhe krenar për të gjithë. Me lojtar, pjesë të stafit, për mua jeni një familje e vërtetë”, ishin fjalët e Flick pas përfundimit të takimit.
Kujtojmë se për katalanasit gjithçka u mbyll në fraksionin e pjesës së parë me golat e Marcus Rashford në të 9-tën minutë dhe Ferran Torres në të 18-tën. Falë këtij rezultati, distanca me rivalët u rrit në 14 pikë, çfarë do të thotë një goditje e fortë ndaj Realit. Të fitosh kampionatin në sytë e “armikut” në fushën e lojës dhe me fitore bindëse, është padyshim një skenar i përkryer.
