
Pasi u mposht 2-0 në Gjeorgji, Partizani nuk ia doli që të bënte mrekullinë në ndeshjen e kthimit. “Demat” barazuan pa gola përballë Iberias në sfidën e zhvilluar në “Elbasan Arena”, rezultat ky që eliminon të kuqtë nga Conference League. Në përfundim të kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV ka folur trajneri, Orges Shehi.
“Të dyja ndeshjet janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ajo e para na kushtëzoi për të dytën. Pengu im më i madh është ndeshja e parë, pasi morëm gol që duhej ta evitonim dhe kartoni i kuq. Sot i komplimentoj çunat, edhe pse kishim mungesa në momente të fundit që i vështirëson më shumë. Nëse do i shfrytëzonim rastet tona, pasi nuk janë me bollëk… Nuk arritëm të shënonim dhe s’na mbetet gjë tjetër, të pranojmë rezultatin. Pengu më i madh është ndeshja e parë.
Unë nuk jam përgjegjës për merkaton. Kemi nevojë për ndërhyrje sepse realisht na duhen lojtarë. Nuk di situatën e Maguette që me shumë mundësi mund të lëvizë. Largimi i Murataj na sjell nevojën për prurje të reja. Duhen lojtarë për të ardhur. Ana psikologjike nuk duhet të jetë e ulët pasi kemi luajtur në Europë. Kur ke dëmtimet dhe situatat, del në raundin e dytë. Nuk duhet të ngarkojmë çunat me përgjegjësinë që u bë hataja. Kampionati vjen shpejt dhe shpresoj që dëmtimet e lojtarëve të kalojnë. Duhetë të fillojmë të konfigurohemi dhe të vazhdojmë punën.
Kemi luajtur 4 ndeshje në Europë dhe të katërt golat janë pengje, pasi ishin për gabimet tona. Si me Marsasloxk por edhe me Iberian në Gjeorgji. Kemi gabuar në parim dhe vendosje pasi ishim të gjithë poshtë linjës së topit. Të dy golat në Gjeorgji ishin të evitueshëm.
Domosdoshmëri në reparte? Edhe kur mbaroj kampionati kemi bërë një llogaritje ku duhen lojtarë. Tani na doli edhe problemi i mesfushës. Akoma kërkojmë që të gjejmë lojtarë cilësorë. Nuk dimë sa do rrijë Preka jashtë, por donim stabilitet në mbrojtje. Por me dëmtimin e Prekës nuk dimë akoma sa mungon dhe shtohet një lojtar për të plotësuar organikën.
Emergjenca na ndodhi në mesfushë pasi u dëmtua Taipi, Murataj u largua nga skuadra. Rrapaj është lojtari më i mirë në Shqipëri dhe pas kartonit të kuq në Gjeorgji unë fola me të. Nuk doja që të mungonte, edhe pse arbitri mund ta kishte interpretuar ndryshe kartonin e kuq të Rrapaj. Ai është i mirë me goditje në lojën 1 kundër 1.
Skuadrat shqiptare në Europë? Nuk është gjë e mirë që skuadrat eliminohen që në tur të parë. Ne kaluam një tur edhe pse thanë që ishin amatorë, por nuk ka nivel të dobët përveç Andorës, Gjibraltarit apo San Marinos. Bëmë maksimumin që të kalonim turin tjetër. Të gjithë duan që ekipet shqiptare të ecin sa më shumë, por duhet të rrisin cilësinë. Luhet gjithë vitin për këtë kompeticion dhe përqëndrimi duhet të jetë për të rritur cilësinë. Po e shohim që nuk ka më skuadra të vogla… Duhet të kenë cilësi dhe vazhdimësi pasi ka lëvizje të mëdha, ikin 5 vijnë 4 dhe kjo e vështirëson punën”, ishin fjalët e Orges Shehit.